Versioni i plotë
KOSOVA

Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt, Ministria për Punë e Familje publikon gjetjet e inspektimit të jashtëzkaonshëm

14 Nën 2026, 14:10

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka publikuar gjetjet e raportit të inspektimit të jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin e rastit të së ndjerës Arlinda Zekaj e cila dyshohet se vra brutalisht nga kunati i saj me sëpatë.

Sipas raportit, gjatë trajtimit të këtij rasti janë konstatuar disa shkelje, përfshirë mosrespektimin e afateve gjyqësore, neglizhencën në përmbushjen e detyrave të punës, mosveprimin sipas detyrës zyrtare dhe mungesën e mbikëqyrjes profesionale.

Një nga gjetjet e raportit është se Qendra për Punë Sociale në Pejë nuk e kishte dorëzuar me kohë raportin në Gjykatë. Ndonëse me aktvendimin e 24 shtatorit 2026 ishte përcaktuar afati prej shtatë ditësh, raporti ishte dorëzuar më 5 tetor.

Po ashtu, është konstatuar se menaxherja e rastit kishte munguar pa arsyetim në seancën gjyqësore të 5 tetorit 2026.

Inspektimi ka evidentuar edhe mungesën e monitorimit të rastit pas pranimit të aktvendimit gjyqësor të 7 shtatorit, ndonëse QPS-ja kishte përgjegjësi të vepronte edhe pa kërkesa të posaçme nga Gjykata.

Në mesin e shkeljeve të tjera janë evidentuar mosplotësimi i formularëve standardë për kontaktet dhe punën në rast, mos hartimi i Planit Individual të Shërbimeve, si dhe mungesa e mbikëqyrjes profesionale nga udhëheqësi i Shërbimeve Sociale.

Për këto shkelje, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T.G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D.K.

Raporti përmban edhe rekomandime për Komunën e Pejës, përfshirë rritjen urgjente të numrit të stafit profesional të licencuar në QPS, duke pasur parasysh mungesën e kapaciteteve në raport me vëllimin e punës dhe territorin që mbulon kjo qendër.

Gjithashtu, kërkohet zhvendosja e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, përkatësisht drejtoreshës A.B., me qëllim të garantimit të pavarësisë profesionale të Qendrës për Punë Sociale dhe ndarjes së qartë të përgjegjësive ndërmjet dy institucioneve.

Sa i përket QPS-së, rekomandohet mbikëqyrje e vazhdueshme dhe vizita të rregullta monitoruese për fëmijën e vendosur në strehimore, koordinim me institucionet përkatëse, përdorim i formularëve standardë dhe trajnim i stafit për zbatimin e procedurave ligjore, veçanërisht në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Ministria ka kërkuar nga Komuna e Pejës që rekomandimet të trajtohen pa vonesë dhe që ajo të njoftohet zyrtarisht për masat e ndërmarra.

Në fund, Ministria ka bërë të ditur se do të monitorojë zbatimin e rekomandimeve nga ana e Komunës së Pejës.

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Komuna e Pejës publikon sqarimin e QPS-së pas raportit të Inspektoratit për rastin e Arlinda Zekajt Vdes një grua 43 vjeçare në Pejë, Spitali rajonal jep detaje për rastin Fotografia e Titos-Veton Surroi i përgjigjet Baton Haxhiut Punëtorët e KEK’ut paralajmërojnë protestë të re për javën e ardhshme: Jo të nëpërkëmbur