Versioni i plotë
KOSOVA

Ministria e Drejtësisë mbledh institucionet përgjegjëse pas vrasjes së gruas shtatzënë në Malishevë

26 Gus 2026, 10:30

Pas rastit tragjik të vrasjes së gruas 25-vjeçare shtatzënë, Jetlira Foniqi në fshatin Kërvasari të Malishevës, ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka mbajtur takim me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Gjykatës dhe Qendrës për Punë Sociale.

Takimi u mbajt me qëllim të shqyrtimit të funksionimit të mekanizmave institucionalë dhe të ndërmarrjes së masave të nevojshme për parandalimin e rasteve të dhunës.

“Rastet e tilla na obligojnë të ndalemi, të shohim me përgjegjësi të plotë funksionimin e mekanizmave institucionalë dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar përsëritjen e tyre. Por çdo jetë e humbur na obligon të bëjmë më shumë, shumë më herët, të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të parandaluar rastin tjetër”, tha Gërvalla.

Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së të gjitha institucioneve në parandalimin e dhunës.

Tutje, ajo tregoi se sipas informacioneve të institucioneve përgjegjëse, bashkëshorti i viktimës, Egzon Bytyqi është i dyshuari për rastin ndërsa viktima nuk rezulton të ketë qenë më parë e evidentuar në ndonjë situatë që do të sinjalizonte një rrezik të tillë.

“Tashmë është e domosdoshme që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme dhe rasti të zbardhet plotësisht”, theksoi Gërvalla.

Gërvalla kërkoi që të gjitha rrethanat e rastit të hetohen nga organet kompetente dhe që përgjegjësia të përcaktohet në përputhje me ligjin.

“Përgjegjësia duhet të përcaktohet nga organet kompetente dhe asnjë rrethanë e rastit nuk duhet të mbetet pa u hetuar”, tha ajo.

Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Gjilan: Arrestuar për mashtrim me 189.000 euro duke pretenduar se vuante nga leukemia Shqipëria rikthen rezervistët: 115 qytetarë në uniformë ushtarake Ministria e Mbrojtjes vendosi kontratë 104 mijë euro për sigurimin e FSK-së Kosova: Kundërshtimet e Thaçit dhe bashkëpunëtorëve në Hagë – sa mund të ndikojë shteti?