Pashinjan e pret Kurtin me flamurin e Kosovës dhe e quan “kryeministër i Kosovës” – Beogradi flet për njohje
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinjan, e ka pritur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një takim në Paris, ku në tryezë ishin vendosur flamujt e të dy vendeve. Në publikimin e tij në rrjetet sociale, Pashinjani e ka quajtur Kurtin “kryeministër i Kosovës”.
Takimi u zhvillua më 10 nëntor, në kuadër të Forumit të nëntë të Paqes në Paris. Pashinjani kishte mbërritur në kryeqytetin francez një ditë më parë, për një vizitë pune.
Kryeministri armen publikoi në Facebook video dhe fotografi nga takimi, me mbishkrimin “Takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.
Sipas Zyrës së Kryeministrit të Armenisë, të cituar nga agjencia shtetërore armene Armenpress, dy kryeministrat diskutuan për perspektivat e zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ata theksuan edhe rëndësinë e zgjerimit të lidhjeve tregtare dhe ekonomike. Pashinjani dhe Kurti shkëmbyen mendime edhe për çështje me rëndësi rajonale, përfshirë mundësitë që krijon paqja e arritur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Takimi ka shkaktuar reagime në mediat serbe. E përditshmja e Beogradit “Novosti” e ka trajtuar atë si shenjë se Armenia mund të jetë duke u përgatitur ta njohë Kosovën. Gazeta thekson se Pashinjani e ka quajtur Kurtin kryeministër dhe e ka pritur me flamurin e Kosovës.
Sipas “Novostit”, dy kryeministrat janë takuar edhe më parë, në Mynih dhe në Jerevan. Megjithatë, kjo është hera e parë që kryeministri armen e përdor publikisht titullin “kryeministër i Kosovës” krahas flamurit të Kosovës. “Duket se ka filluar”, shkruan gazeta serbe, duke shtuar se me këtë çështje do të duhet të merren politikanët e Serbisë.
Armenia deri tani nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Nga Jerevani nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për ndryshim të qëndrimiT.
Marrëdhënie gjithnjë e më të ngushta
Kontaktet mes dy vendeve janë intensifikuar gjatë këtij viti. Më 3 maj, Kurti u prit në takim bilateral nga Pashinjani në selinë e Qeverisë së Armenisë në Jerevan, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane.
Në atë takim, Kurti falënderoi Armeninë për kontributin e forcave të saj të armatosura në kuadër të KFOR-it, si dhe Qeverinë armene për bashkëpunimin gjithnjë e më të madh mes dy vendeve.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.