Versioni i plotë
KOSOVA

S’ka kuorum në Kuvend për rezolutën që kërkon furnizim të pandërprerë me barna esenciale

13 Nën 2026, 18:10

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta miratojë rezolutën që kërkonte masa urgjente për garantimin e furnizimit të pandërprerë me barna esenciale, veçanërisht për pacientët onkologjikë, pasi në sallë nuk kishte kuorum të mjaftueshëm.

Në votim ishin të pranishëm 63 deputetë. Prej tyre, 42 votuan për rezolutën, ndërsa dy abstenuan. Megjithatë, votat nuk mjaftuan për miratimin e saj.

Rezoluta ishte propozuar nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, e cila kërkonte nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) që të ndërmerrnin menjëherë të gjitha masat ligjore dhe administrative për të garantuar furnizimin e rregullt me barna esenciale dhe për të parandaluar ndërprerjen e terapive për shkak të mungesës së stokut.

Përmes saj, Jashari kishte kërkuar që Ministria e Shëndetësisë, brenda 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, t’i dorëzonte Kuvendit një raport të detajuar për periudhën 1 janar – 22 tetor 2026. Raporti do të duhej të përfshinte listën e barnave onkologjike që kanë munguar, kohëzgjatjen e mungesave, numrin e pacientëve të prekur, shkaqet e tyre dhe statusin e procedurave të prokurimit.

Një tjetër kërkesë e rezolutës ishte krijimi dhe zbatimi i një mekanizmi të paralajmërimit të hershëm, si dhe përcaktimi i një stoku minimal sigurues për barnat kritike onkologjike. Për këtë mekanizëm parashiheshin përgjegjësi të qarta dhe afate për nisjen e procedurave të furnizimit, para se stoku të arrinte nivelin kritik.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë do të duhej të analizonte bazën ligjore dhe financiare për mundësinë e krijimit të një mekanizmi për rimbursimin e shpenzimeve të dokumentuara të pacientëve, të cilët janë detyruar t’i blejnë vetë barnat nga lista esenciale për shkak të mungesës së tyre në sistemin publik.

Propozimi përfshinte edhe evidentimin e përgjegjësive institucionale për dështimet ose vonesat në planifikim, prokurim dhe furnizim me palbociklib, biomicinë dhe barna të tjera onkologjike që kanë munguar gjatë vitit 2026.

Ndërkaq, SHSKUK-së i kërkohej të vazhdonte dhe standardizonte publikimin e rregullt, të qasshëm dhe të përditësuar të gjendjes së stokut të barnave esenciale në Klinikën e Onkologjisë, përfshirë njoftimet për mungesat e pritshme dhe afatet e parashikuara të furnizimit.

Në fund, rezoluta parashihte që komisioni parlamentar përgjegjës për shëndetësinë të monitoronte zbatimin e saj dhe, brenda 60 ditësh, ta informonte Kuvendin për nivelin e zbatimit.

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Statusi i vendit kandidat për Kosovën, Koopman: Ende s’jemi në atë pikë, Ligji për Specialen, i padobishëm Hoti mohon se qeveria ia ka hequr statusin e dëshmorit Ahmet Krasniqit, Fehmi Aganit e të tjerëve: Komisioni s’eksizton më AUV tërheq nga tregu “Mishin e bluar të gjedhit” të kompanisë “AJH FOODS”, u gjet ADN pule Presidentja e dekreton ligjin për Byronë, Haxhiu: Secili që ushtron funksion publik duhet të ketë burim të ligjshëm e të dokumentuar të pasurisë