Versioni i plotë
KOSOVA

Gruda: Ndryshimet e Ligjit për Specialen s’kanë asnjë gabim, qëndroj prapa çdo shkronje

22 Tet 2026, 22:30

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në një postim në Facebook ka thënë se Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim.

Reagimi i tij erdhi pasi presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, me kërkesë të PDK-së e ka rikthyer në Kuvend Ligjin për rishqyrtim.

Gruda ka thënë se do të preferonte që sot të fliste për zbatim të ligjit, e jo rihapjen e debatit me të.

“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet. Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij. Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij”, ka shkruar Gruda.

Ai ka thënë se nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin u hartua ligji.

“Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua. Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj. Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim”, ka shkruar Gruda.

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Kosova importon peletin me 240 euro për ton, por në tregun vendor shitet deri në 470 euro Komisioni për Legjislacion shqyrton sot vendimin e presidentes për kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend Sot mbahet seanca ndaj Jeton Sylajt, Gjykata vendos që të jetë e mbyllur për publikun “Mos e prekni KFOR-in”, ekspertët amerikanë i bëjnë thirrje Pentagonit të mos tërheqë trupat nga Kosova