Versioni i plotë
KOSOVA

Kosova importon peletin me 240 euro për ton, por në tregun vendor shitet deri në 470 euro

12 Nën 2026, 09:50

Diferenca mes vlerës mesatare të importit dhe çmimit maksimal në tregun e Kosovës arrin në rreth 230 euro për ton. Ndërkohë, një thes prej 12 kilogramësh për konsumatorët individualë kushton 5.50 euro.

Çmimi i peletit në tregun e Kosovës ka arritur deri në 470 euro për ton, ndërsa të dhënat e importit tregojnë se gjatë periudhës janar–tetor 2026, Kosova e ka importuar këtë produkt me një vlerë mesatare prej vetëm 240.44 eurosh për ton.

Kjo nënkupton një diferencë prej rreth 230 eurosh për ton ndërmjet vlerës mesatare të importit dhe çmimit maksimal të raportuar në tregun vendor.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, të siguruara nga statistikat e importit për dhjetë muajt e parë të vitit 2026, në vend janë importuar gjithsej 17,045.7 tonë pelet druri, me vlerë të përgjithshme prej 4 milionë e 98 mijë e 530 eurosh, shkruan ORAinfo.

Llogaritja e vlerës së përgjithshme të importit në raport me sasinë e importuar tregon se një ton pelet ka kushtuar mesatarisht 240.44 euro në import.

Në anën tjetër, sipas të dhënave të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës (AKRK), çmimi i një toni pelet në tregun vendor varion nga 280 deri në 470 euro, me dallime të konsiderueshme ndërmjet operatorëve importues, distributorëve dhe prodhuesve vendorë.

Për konsumatorët individualë, një thes prej 12 kilogramësh shitet me çmim prej 5.50 eurosh, që i bie rreth 458 euro për një ton, nëse llogaritet çmimi proporcional sipas peshës.

Mali i Zi furnizuesi kryesor i Kosovës me pelet

Të dhënat e importit tregojnë se Kosova është dukshëm e varur nga furnizimi me pelet nga Mali i Zi.

Gjatë periudhës janar–tetor 2026, nga ky shtet janë importuar 11,549.18 tonë pelet, me vlerë prej 2.88 milionë eurosh. Kjo përbën rreth 68 për qind të sasisë së përgjithshme të importuar në Kosovë.

Pas Malit të Zi, ndër vendet kryesore prej të cilave Kosova ka importuar pelet janë Bosnja dhe Hercegovina, me rreth 1,543 tonë, Greqia me 1,029 tonë, Serbia me 881 tonë dhe Turqia me 843 tonë.

Kjo varësi nga importi është një prej shqetësimeve që ka ngritur edhe Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka bërë të ditur se është duke monitoruar zhvillimet në këtë treg, përfshirë çmimet, furnizimin, kapacitetet e prodhimit vendor dhe varësinë nga importi.

Prodhimi vendor nuk mbulon kërkesën, çmimet ndikohen edhe nga sezoni

Sipas AKRK-së, një nga karakteristikat kryesore të këtij tregu është kapaciteti i kufizuar i prodhimit vendor, i cili nuk arrin të mbulojë tërësisht kërkesën në Kosovë.

Për këtë arsye, furnizimi mbështetet në masë të konsiderueshme në import, kryesisht nga Mali i Zi.

Autoriteti vlerëson se kjo varësi e bën tregun e Kosovës të ndjeshëm ndaj zhvillimeve në tregjet rajonale, kushteve të furnizimit dhe kostove të importit.

Një tjetër faktor që ndikon në çmimet e peletit është kërkesa sezonale. Gjatë sezonit të ngrohjes, rritja e kërkesës, në kushtet e ofertës së kufizuar, mund të ndikojë në shtrenjtimin e këtij produkti.

Mali i Zi kufizon çmimet, paralajmërohet edhe ndalimi i eksportit

AKRK-ja ka vënë në pah edhe zhvillimet e fundit në tregun e Malit të Zi, nga i cili Kosova importon pjesën më të madhe të peletit.

Qeveria e Malit të Zi, më 24 shtator 2026, kishte vendosur kufizimin e çmimit maksimal të shitjes me pakicë të peletit në 250 euro për ton për klasën A2 dhe 270 euro për ton për klasën A1, me TVSH të përfshirë.

Ndërkaq, me ndryshimet e vendimit të 16 tetorit, të cilat kanë hyrë në fuqi më 23 tetor, janë ndaluar tarifat dhe kostot shtesë mbi çmimet e përcaktuara. Po ashtu, prodhuesit dhe tregtarët janë obliguar të ruajnë furnizimin e tregut vendor në sasi jo më të vogla se mesatarja e 12 muajve të fundit.

Më 4 nëntor, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave të Malit të Zi ka paralajmëruar propozimin për pezullimin ose ndalimin e eksportit të peletit, me qëllim të sigurimit të sasive të mjaftueshme për nevojat e tregut të brendshëm.

Sipas AKRK-së, këto zhvillime mund të ndikojnë në kushtet e importit dhe furnizimit të tregut të Kosovës, veçanërisht në rast të kufizimeve eventuale të eksportit nga Mali i Zi.

AKRK monitoron tregun, por dallimet në çmime nuk dëshmojnë automatikisht shkelje

Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur se qëllimi i monitorimit është vlerësimi i strukturës së tregut, identifikimi i faktorëve ekonomikë që ndikojnë në formimin e çmimeve dhe shqyrtimi i kushteve të furnizimit dhe konkurrencës ndërmjet operatorëve ekonomikë.

AKRK-ja ka theksuar se dallimet apo rritja e çmimeve nuk përbëjnë në vetvete dëshmi për shkelje të legjislacionit për mbrojtjen e konkurrencës.

Megjithatë, në rast se identifikohen indikacione të bazuara për marrëveshje të ndaluara, praktika të bashkërenduara apo keqpërdorim të pozitës dominuese, Autoriteti ka paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve dhe procedurave përkatëse ligjore.

Të dhënat e importit tregojnë një diferencë të konsiderueshme ndërmjet vlerës mesatare të importit dhe çmimit maksimal të shitjes në Kosovë. Megjithatë, kjo diferencë nuk përfaqëson automatikisht fitimin e operatorëve ekonomikë, pasi në çmimin përfundimtar ndikojnë edhe kostot e transportit, magazinimit, taksat, distribuimi dhe marzha tregtare. /ORAinfo/

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Komisioni për Legjislacion shqyrton sot vendimin e presidentes për kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend Sot mbahet seanca ndaj Jeton Sylajt, Gjykata vendos që të jetë e mbyllur për publikun “Mos e prekni KFOR-in”, ekspertët amerikanë i bëjnë thirrje Pentagonit të mos tërheqë trupat nga Kosova Sot seancë plenare, në rend dite interpelanca ndaj ministrit Arben Vitia dhe mocion për energjinë