Mungesa e kuorumit shtyn seancën, mbetet pa u votuar Ligji për Specialen
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka shtyrë seancën e sotme parlamentare për shkak të mungesës së kuorumit.
Në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm vetëm 38 deputetë, numër i pamjaftueshëm për vazhdimin e punimeve dhe marrjen e vendimeve.
Haxhiu ka bërë të ditur se për datën e vazhdimit të seancës do të dakordohen me shefat e grupeve parlamentare.
Pikë e rendit të ditës së kësaj seance ishte edhe kërkesa e PDK-së për shqyrtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në anën tjetër, Ligji për Specialen ka hasur në kritika nga akterë të huaj.
Britania e Madhe ka shprehur shqetësim për synimin e Kuvendit të Kosovës që të votojë sërish ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të dëmtojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Në reagimin e Ambasadës Britanike në Prishtinë thuhet se amendamentet e propozuara nuk do t’u shërbenin interesave thelbësore të Kosovës.
Ambasada Gjermane në Kosovë ka reaguar lidhur me votimin e mundshëm në Kuvendin e Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke shpërndarë në rrjetet sociale reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Ambasada Gjermane pajtohet plotësisht me shqetësimet e Zyrës së BE-së në Kosovë lidhur me votimin e mundshëm në Kuvendin e Kosovës të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Ndërkohë, Zyra e BE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me votimin e mundshëm në Kuvend të këtyre ndryshimeve ligjore.
Sipas Zyrës së BE-së, ndryshimet ngrenë shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, të drejtat procedurale dhe llogaridhënien efektive.
Zyra e BE-së ka theksuar se ndryshimet ngrenë shqetësime edhe për kushtetutshmërinë e tyre, duke kërkuar konsultime paraprake përpara çdo miratimi të ligjit, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.