Kraki: Raporti i BE-së konfirmon pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka ngritur në Kuvendin e Kosovës çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai e cilësoi pasivizimin e adresave si “spastrim etnik me letra” nga Serbia.
Kraki foli të mërkurën, më 11 nëntor, gjatë seancës së jashtëzakonshme për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën dhe procesin e integrimit evropian. Ai tha se raportet vjetore të BE-së duhet të trajtohen me seriozitet, pasi respektimi i të drejtave të njeriut dhe i komuniteteve është ndër vlerat themelore të Unionit.
Sipas Krakit, raporti evidenton përpjekjet sistematike të Serbisë për të zvogëluar përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet lokale, si dhe praktikën e pasivizimit të adresave.Deklarata vjen pak ditë pas zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të mbajtura më 8 nëntor në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Në to kishin të drejtë vote 37.759 shqiptarë, të regjistruar në listën e posaçme zgjedhore. Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga deputeti Shaip Kamberi, asnjë nga katër listat nuk siguroi shumicën e 29 mandateve.
Kryeministri Albin Kurti ka ngritur vazhdimisht çështjen e pasivizimit të adresave, të diskriminimit dhe të nënpërfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e Serbisë. Ai e ka bërë këtë edhe në takime me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.