Quni: Nëse shkalla e fundit vërteton krimet e katërshes, do ta pranoj vendimin
Ish-ministri i Mbrojtjes dhe ish-komandanti i UÇK-së, Anton Quni, ka deklaruar se do ta pranojë vendimin përfundimtar të drejtësisë për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, cilido qoftë ai.
Më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë i shpalli fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe nuk është i formës së prerë.
I ftuar në emisionin “Adresa”, Quni tha se që nga arrestimi i tyre, në nëntor të vitit 2020, ka zgjedhur të mos flasë publikisht për këtë çështje. Arsyeja, sipas tij, është se pret përfundimin e plotë të procesit gjyqësor.
“Që nga momenti kur janë arrestuar, unë në lidhje me këtë çështje kam heshtur deri në epilogun përfundimtar. Nëse edhe në epilogun përfundimtar, pra në shkallën e fundit të gjykatës, vërtetohet se ata kanë kryer krime, unë do të pajtohem me atë gjykim.
Nëse shkalla e fundit vërteton se ata nuk kanë të bëjnë me ato për të cilat ne kemi krijuar bindje të ndryshme, beso që do të ndihem i lumtur”, ka deklaruar Quni.
Ndryshe, Quni ka marrë pjesë në Betejën e Koshares si pjesëtar i UÇK-së dhe ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes nga shkurti 2020 deri në mars 2021.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.