Ajdini dhe Saliu kritikojnë Shasivarin për qëndrimin ndaj UÇK-së: “Sindromi Mickoski” po shfaqet te funksionarët shqiptarë

Qëndrimi i ministrit të Drejtësisë, Arbër Shasivari, lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nxitur reagime të reja nga figura publike shqiptare. Publicisti Gazmend Ajdini ka shprehur shqetësim për përmbajtjen ...

shtator 14, 2026 - 01:00
Ajdini dhe Saliu kritikojnë Shasivarin për qëndrimin ndaj UÇK-së: “Sindromi Mickoski” po shfaqet te funksionarët shqiptarë

Qëndrimi i ministrit të Drejtësisë, Arbër Shasivari, lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nxitur reagime të reja nga figura publike shqiptare.

Publicisti Gazmend Ajdini ka shprehur shqetësim për përmbajtjen e deklaratës së ministrit, duke theksuar se një qasje e tillë prek drejtpërdrejt kujtesën dhe dinjitetin e shqiptarëve.

“Shpresoj që ky tekst të jetë thjesht produkt i ‘da se prevede na albanski’. Sepse, nëse ky ministër e ka menduar pikërisht kështu, kjo nuk është huqje politike. Është shkelje mbi plagët dhe dinjitetin e një populli”, shkruan Ajdini.

Sipas tij, historia e Kosovës nuk mund të reduktohet vetëm te procesi gjyqësor në Hagë.

“Historia e Kosovës nuk fillon as përfundon më 16 shtator në Hagë. Ajo nuk mund të rrëfehet duke mjegulluar dallimin mes viktimës dhe agresorit”, thekson Ajdini.

Ai e lidh formimin e UÇK-së me rrethanat e luftës në Kosovë, duke thënë se ajo “lindi jo për shkak të ambicieve politike, por si përgjigje ndaj terrorit, masakrave dhe dëbimit të shqiptarëve”.

“Ato tri shkronja mbartin sakrificën e një populli që pagoi me gjak të drejtën për të jetuar i lirë”, shprehet publicisti.

Ajdini ka kritikuar gjithashtu qasjen e Shkupit ndaj Kosovës, duke e lidhur atë me qëndrimet brenda koalicionit qeverisës.

“Para se nga Shkupi t’i jepni Kosovës leksione për Evropën, gjeni zërin tuaj kur flet Stoilkovici. Heshtja atje dhe arroganca ndaj Kosovës dhe mbi 100.000 shqiptarëve dje në Prishtinë, janë dy standarde të së njëjtës politikë”, shkruan ai.

Në fund, Ajdini thotë se pushteti politik nuk i jep askujt të drejtën të relativizojë sakrificën e shqiptarëve për liri.

“Kolltuku ju jep pushtet të përkohshëm, jo të drejtën të shkelni mbi sakrificën për liri. Kosova ka kujtesë. UÇK-ja është emri i sakrificës që u bë liri dhe i krenarisë që nuk përkulet!”, përfundon reagimin e tij Ajdini.

Ndërkohë, edhe gazetari Furkan Saliu ka reaguar ndaj qëndrimit të Shasivarit, por duke e interpretuar atë më shumë si një problem politik sesa si një qëndrim personal të ministrit.

“Duke e njohur nga paraqitjet e tij publike, sinqerisht mendoj se Shasivari këtë opinion nuk e ka shkruar si jurist, por si politikan”, shkruan Saliu.

Sipas tij, çështja kryesore nuk është nëse Shasivari është pro apo kundër krerëve të UÇK-së, por mënyra se si funksionarët shqiptarë po pozicionohen brenda pushtetit aktual.

“Ky status nuk është as kundër krerëve të UÇK-së, as kundër UÇK-së. Madje, nuk është fare e rëndësishme se çfarë mendon Shasivari për këtë proces gjyqësor”, shprehet Saliu.

Ai kritikon gjithashtu kompetencën e ministrit për të dhënë këshilla mbi mënyrën e menaxhimit institucional të procesit gjyqësor.

“Po aq e parëndësishme është edhe këshilla e tij se si duhet të menaxhohet institucionalisht ky proces. Nuk e ka përvojën – është ministër vetëm prej disa muajsh – por, mbi të gjitha, vjen nga një shtet ku prej vitesh kemi problem serioz me funksionimin e drejtësisë”, shkruan gazetari.

Saliu e zgjeron kritikën përtej Shasivarit dhe e lidh me funksionarët shqiptarë që janë pjesë e koalicionit VLEN.

“Problemi këtu është shumë më i thellë. Është një fenomen që po shfaqet pothuajse te secili funksionar shqiptar, si në pushtetin lokal, ashtu edhe në atë qendror”, thotë ai.

Sipas Saliut, Shasivari është “viktima e radhës e #SindromitMickoski”.

“Nuk ka rëndësi çfarë mendon. Rëndësi ka çfarë thua. E ajo që thua duhet të jetë në përputhje me politikat e VMRO-DPMNE-së”, shkruan Saliu.

Ai përmend edhe disa raste të tjera që, sipas tij, dëshmojnë mungesën e një qëndrimi autentik politik nga funksionarët shqiptarë në pushtet.

“Mungesa e një qëndrimi autentik, e një politike dhe platforme të qartë gjatë këtyre viteve në pushtet na solli shumë raste të #SindromitMickoski: Kërçova, Bërvenica, Balanceri…”, thekson Saliu.

Në fund, gazetari paralajmëron se, sipas tij, debatet e ardhshme për Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe parimin e Badenterit mund të shoqërohen me të njëjtën logjikë politike.

“Dhe kjo është vetëm parapërgatitje për atë që vjen. Ligji për gjuhët. Badenteri. Edhe aty do të na thonë se vendosi ‘drejtësia’. Madje, këtë herë do të vendosë gjykata më e lartë për çështjet kushtetuese – Gjykata Kushtetuese”, përfundon Saliu. Gazeta Flaka

The post Ajdini dhe Saliu kritikojnë Shasivarin për qëndrimin ndaj UÇK-së: “Sindromi Mickoski” po shfaqet te funksionarët shqiptarë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.