Autostrada Tetovë-Gostivar mbetet “pikë e zezë”: Vozitësit të rrezikuar çdo moment

Autostrada Tetovë-Gostivar, vazhdon të mbetet pikë e zezë në rajonin e Pollogut për sa I përket aksidenteve të trafikut. Edhe pse i ka mbetur epiteti autostradë megjithatë nuk plotëson asnjë kusht elementar që të jetë autostradë. Korsitë e ...

shtator 13, 2026 - 12:30
Autostrada Tetovë-Gostivar mbetet “pikë e zezë”: Vozitësit të rrezikuar çdo moment

Autostrada Tetovë-Gostivar, vazhdon të mbetet pikë e zezë në rajonin e Pollogut për sa I përket aksidenteve të trafikut.

Edhe pse i ka mbetur epiteti autostradë megjithatë nuk plotëson asnjë kusht elementar që të jetë autostradë. Korsitë e rrugës janë dëmtuar pasi që me kalimin e kohës nuk është bërë asnjë intervenim apo rikostruim i rrugës.

Duke patur parasysh se në këtë “autostradë”, qarkullojnë mijëra vetura, të cilët edhe duhet të paguajnë taksën rrugore, qytetarët shpesh herë reagojnë për kushtet e rrugës, sidomos gjatë periudhës kur ka rreshje të shiut.Përveç kësaj, problem në vete është se në afërsi kryhen punimet për autostradën e re dhe ka lëvizje të madhe të automjeteve të rënda.

Vozitësit janë të revoltuar se rruga pa asnjë kusht nuk duhet të paguhet ndërsa situata bëhet edhe më “tragjike” kur kemi parasysh se punimet në autostradën e re Tetovë-Gostivar do të përfundojnë në vitin 2028, pra edhe dy vite qytetarët, respektivisht vozitësit do të kalojnë në një rrugë përplot me rreziqe. Pushteti qendror thotë se vitin e ardhshëm do të shohim kilometrat e parë të përfunduar;

“Kemi ecuri të mirë nga ndërtimi i autostradës Tetovë-Gostivar. Kjo është një autostradë që e filloi kjo qeveri. Janë zgjidhur të gjitha çështjet që lidhen me shpronësimin, ndërsa tani po zgjidhen çështjet që kanë të bëjnë me dislokimin e rrjeteve të ujësjellësit. Dhe nëse vazhdojmë me këtë dinamikë, që vitin e ardhshëm do të shohim kilometrat e parë të përfunduar, ndërsa deri në fund të vitit 2028 do të jetë tërësisht e përfunduar autostrada nga Tetova deri në Gostivar”, tha kohë më parë Aleksandar Nikolloski, ministër i Transportit .

Ekspertët thonë se rruga nuk ka korsi ndihmëse për ndalje emergjente që do të thotë se çdo defekt i mundshëm i automjeteve në rrugë krijon rrezik të drejtpërdrejtë për aksident. “Gropat e shpeshta, dëmtimet e rënda të rrugës dhe çarjet e asfaltit e bëjnë lëvizjen me shpejtësi të lartë jashtëzakonisht të pasigurt. Rrjetat anësore mbrojtëse në shumë pjesë janë të dëmtuara ose mungojnë plotësisht. Si pasojë, dalja e kafshëve shtëpiake apo të egra në mes të autostradës është një dukuri e shpeshtë që u ka kushtuar me jetë shumë qytetarëve. Gjatë natës ose në kushte me mjegull, dukshmëria mbetet minimale, ndërsa sinjalistika vertikale dhe horizontale është e vjetruar ose pothuajse e fshirë”, thonë ekspertë të komunikacionit për Tetova 1.

Kështu, aksi rrugor që lidh dy qytetet më të mëdha të Pollogut, Tetovën dhe Gostivarin, prej vitesh vazhdon të mbajë statusin e autostradës, por pa plotësuar asnjë nga standardet elementare të sigurisë dhe infrastrukturës rrugore. Ky segment rrugor mbetet një nga pikat më të rrezikshme për shoferët, duke u kthyer shpesh në burim aksidentesh fatale.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.