“Të sakrifikohet për atdheun”, kujtohet Muharrem Shaljani, veprimtari i denjë i çështjes shqiptare
Me një akademi përkujtimore, në Kumanovë, është nderuar jeta dhe vepra e Muharrem Shaljanit, veprimtarit të denjë të çështjes shqiptare dhe luftëtarit, i cili veprimtarinë e tij kombëtare e zhvilloi edhe në kushtet e ilegalitetit dhe përndj...
Me një akademi përkujtimore, në Kumanovë, është nderuar jeta dhe vepra e Muharrem Shaljanit, veprimtarit të denjë të çështjes shqiptare dhe luftëtarit, i cili veprimtarinë e tij kombëtare e zhvilloi edhe në kushtet e ilegalitetit dhe përndjekjes nga ish-regjimi jugosllav, shkruan OPEN TV.
Gjatë akademisë, në fjalët e rastit u sollën në kujtesë jeta, veprimtaria dhe sakrifica e Shaljanit, si dhe kontributi i tij në rrugëtimin e veprimtarisë kombëtare shqiptare. Në mesin e figurave të përmendura në këtë kontekst ishte edhe Haxhi Maliqi, bashkëveprimtar i Shaljanit në veprimtarinë ilegale.
Për figurën e Shaljanit foli Gani Krasniqi, veprimtar i çështjes kombëtare nga Kosova, i cili e vlerësoi lart kontributin dhe personalitetin e tij. Krasniqi theksoi se porosia e Shaljanit duhet të ruhet si nga familja, ashtu edhe nga bashkëveprimtarët dhe të gjithë ata që e njohën nga afër.
“Edhe familja edhe ne duhet ta ruajmë porosinë e Muharremit”, tha Krasniqi.
Shpëtim Pollozhani, nga Shoqata e Ish të Burgosurve Politikë në Maqedoninë e Veriut, ndau përshtypjet e tij nga takimet me Shaljanin, duke e përshkruar atë si një veprimtar produktiv, frymëzues dhe të përgatitur moralisht për sfidat e veprimtarisë kombëtare.
“Ishte veprimtari më produktiv. Frymëzues dhe i përgatitur moralisht. Vlerë kombëtare”, tha Pollozhani.
Fjalë rasti pati edhe Xhevat Gjini, veprimtar nga Kosova dhe pjesëtar i “Lëvizjes”, i cili foli për figurën dhe angazhimin e Shaljanit në veprimtarinë kombëtare.
Kujtime të veçanta solli Esat Abdurrahmani, shoku i burgut i Muharrem Shaljanit. Përmes kujtimeve të tij u soll në vëmendje edhe periudha e burgimit, duke dëshmuar për qëndrueshmërinë e Shaljanit në rrethana të vështira.
Për Shaljanin folën edhe shoku i tij Zaim Nura dhe bashkëveprimtari Destan Ajdini, të cilët ndanë kujtime nga njohja dhe veprimtaria e përbashkët me të.
Në emër të familjes, të pranishmit i falënderoi i biri i Muharrem Shaljanit, Adriatik Shaljani, i cili kujtoi edhe një nga porositë më të rëndësishme të të atit.
“Të sakrifikohet për atdheun”, ishte porosia e Muharrem Shaljanit që i biri e përcolli para të pranishmëve./OPEN TV
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.