Tre muaj pas “shkrirjes”, flamujt partiakë ende në zyrat e VLEN-it
VLEN të premten ka zyrtarizuar kandidaturën e Jakup Huseinit për kryetar të Komunës së Bërvenicës në zgjedhjet e ardhshme lokale. Huseini është magjistër i shkencave juridike dhe aktualisht ushtron detyrën e nëpunësit shtetëror në Komunë...
VLEN të premten ka zyrtarizuar kandidaturën e Jakup Huseinit për kryetar të Komunës së Bërvenicës në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Huseini është magjistër i shkencave juridike dhe aktualisht ushtron detyrën e nëpunësit shtetëror në Komunën e Bërvenicës. Nga VLEN-i e paraqesin përvojën e tij institucionale dhe kontaktin e përditshëm me qytetarët si avantazh për drejtimin e komunës.
Sipas koalicionit, Huseini e njeh nga afër administratën, procedurat dhe nevojat e banorëve, ndaj, siç theksohet, mund të nisë punën menjëherë pa një periudhë përshtatjeje.
“Përparësia jonë është e qartë: nuk humbim kohë me akomodim. Jakup Huseini e njeh Komunën, administratën, procedurat dhe nevojat e banorëve. Prandaj, nga dita e parë mund të jetë në shërbim të tyre dhe të fillojë punën me përgjegjësi konkrete”, thuhet në deklaratën e VLEN-it.
Por, përtej zyrtarizimit të kandidaturës, fotografia nga takimi me Huseinin nxjerr në pah një tjetër element politik.
Takimi duket se është zhvilluar në zyrat e Alternativës, ndërsa në sfond shihet flamuri i kësaj partie. Detaji vjen në një kohë kur VLEN-i ka deklaruar se subjektet që e përbëjnë koalicionin janë në proces të shkrirjes në një subjekt të vetëm politik.
Megjithatë, tre muaj pas deklarimeve për bashkimin në një subjekt të vetëm, subjektet përbërëse të VLEN-it vazhdojnë të shfaqin identitetet e tyre politike. Edhe në aspektin juridik, partitë vazhdojnë të figurojnë si subjekte autonome në regjistrin qendror.
Një tjetër zhvillim që e bën më të ndërlikuar situatën në Bërvenicë është qëndrimi i degës së LD-së, e cila drejtohet nga Izet Mexhiti.
Mexhiti u shfaq në fotografinë e takimit me Jakup Huseinin, si pjesë e përkrahjes së kandidatit të VLEN-it. Por, në të njëjtën kohë, dega e LD-së në Bërvenicë ka dhënë përkrahje për kandidatin e BDI-së, Arkin Jahijin.
Pra, në Bërvenicë shfaqet një situatë jo e zakonshme: drejtuesi i LD-së, Izet Mexhiti, shfaqet publikisht me kandidatin e VLEN-it, ndërsa struktura lokale e partisë së tij mbështet kandidatin e BDI-së.
Në takimin për zyrtarizimin e Huseinit ishin të pranishëm liderë të partive që aktualisht përbëjnë kryesinë e VLEN-it, ndërsa ra në sy mungesa e Bekim Salit nga Alternativa.
Kandidatura e Jakup Huseinit, kështu, nuk vjen vetëm si një garë për drejtimin e Komunës së Bërvenicës. Ajo po shoqërohet edhe me sinjale që tregojnë se bashkimi i paralajmëruar i subjekteve të VLEN-it ende nuk është reflektuar plotësisht në terren.
Në njërën anë, VLEN kërkon të paraqitet si një forcë e unifikuar pas kandidaturës së Huseinit. Në anën tjetër, identitetet partiake, mungesat në takime dhe qëndrimet e ndryshme në terren tregojnë se procesi i bashkimit politik ende përballet me sfida.
Veçanërisht kontrasti mes paraqitjes së Mexhitit me kandidatin e VLEN-it dhe mbështetjes së degës së LD-së për kandidatin e BDI-së e bën Bërvenicën një nga përballjet më interesante të garës së ardhshme lokale. Gazeta Flaka
The post Tre muaj pas “shkrirjes”, flamujt partiakë ende në zyrat e VLEN-it appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.