Vinicius Junior ka thyer heshtjen për periudhën e vështirë që po kalon te Real Madridi, duke i zbuluar arsyet që, sipas tij, kanë ndikuar në paraqitjet e dobëta gjatë fillimit të këtij sezoni.
Sulmuesi brazilian pranon se nuk është përgatitur në nivelin e duhur pas Botërorit 2026, ku Brazili u eliminua më herët sesa pritej.
“Besoj se nuk jam përgatitur në mënyrën më të mirë pas Kupës së Botës, sepse eliminimi ishte një goditje shumë e madhe për të gjithë ne brazilianët. Nuk e prisnim të eliminoheshim aq herët, ndaj i shfrytëzova pushimet për të pushuar, për t’u çlodhur dhe për të kaluar më shumë kohë me familjen. Përfundova duke u stërvitur më pak se në vitet e kaluara”, deklaroi Vinicius për mediat braziliane.
26-vjeçari zbuloi se edhe pasiguria rreth rinovimit të kontratës me Real Madridin, si dhe interesimi i disa klubeve për transferimin e tij gjatë verës, ndikuan në përqendrimin e tij.
Aktualisht, ai ka vetëm një gol dhe tri asistime në 12 paraqitje për madrilenët.
“Jam njeri dhe bëj gabime, por gjithmonë përpiqem të përmirësohem. Jam 26 vjeç dhe duhet ta shijoj edhe pak jetën. Ndoshta kjo ka ndikuar në fillimin tim të sezonit”, pranoi braziliani, i cili megjithatë mbetet optimist.
Ai kujtoi se edhe sezonin e kaluar kishte vetëm pesë gola deri në dhjetor, por e përfundoi me më shumë se 20, duke besuar se do të jetë gati kur të vijë koha e ndeshjeve vendimtare.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




