1.3 miliardë euro kredi të reja, borxhi publik mbi 9.3 miliardë: Qytetarët alarmohen
Shkup – Qeveria ka miratuar një huamarrje të re në vlerë prej 1.3 miliardë eurosh, me arsyetimin se mjetet do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve dhe borxheve të mëparshme. Ndërkohë, borxhi publik i vendit ka kaluar shifrën prej 9.3 mili...
Shkup – Qeveria ka miratuar një huamarrje të re në vlerë prej 1.3 miliardë eurosh, me arsyetimin se mjetet do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve dhe borxheve të mëparshme. Ndërkohë, borxhi publik i vendit ka kaluar shifrën prej 9.3 miliardë eurosh, duke rikthyer në debat pyetjen se deri ku mund të shkojë huamarrja shtetërore dhe kush do ta paguajë faturën.
Mes qytetarëve mbizotëron skepticizmi. Ata kërkojnë që paratë e marra hua të përdoren për investime konkrete dhe zhvillim ekonomik, ndërsa shprehen të shqetësuar se barra financiare do të bartet tek qytetarët dhe gjeneratat e ardhshme.
“Do të marrë, po pastaj? Qytetarët ne do t’i paguajmë. Nuk është mirë. Do t’i marrë, po si do t’i kthejë? Duhet të ketë mundësi t’i kthejë. Miliarda janë ato, shumë para për ekonominë e Maqedonisë, ekonomia është e dobët”, tha një qytetar.
Një tjetër qytetar vlerëson se huamarrja duhet të shoqërohet me investime që krijojnë vende pune.
“Për kredi shumë jemi në kredi. Po duhet të ketë investime dhe hapje të vendeve të reja të punës”, u shpreh ai.
Ka edhe qytetarë që dyshojnë se mjetet nuk do të përfundojnë në projekte që u shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve.
“Unë mendoj se vetëm për xhepin e tyre i marrin, asgjë për popullin nuk marrin. Problem do të jetë për fëmijët tanë. Duhet ta dinë ata ku duhet të investohen, por ata investojnë për në xhepin e tyre”, deklaroi një qytetar.
Një tjetër qytetar e lidhi shqetësimin me gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës dhe shërbimeve publike.
“Vetëm se i marrin dhe pastaj do t’i shfrytëzojnë ku dëshirojnë. Në gjithçka në Maqedoni, çka ka në rregull që të mos ketë ku të investojë? Çdo send na mungon, transporti publik, rrugët. Pse i kemi autostradat, i keni parë si janë bërë, nuk kalohet andej. Por askush nuk interesohet se çfarë duhet dhe kur duhet t’i kthejmë ato që i marrim”, theksoi qytetari.
LSDM: Qeveria po e zhyt shtetin në borxh
Për huamarrjen e re ka reaguar edhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), e cila shpreh shqetësim për gjendjen e financave publike dhe akuzon qeverinë e Hristijan Mickoskit se po e rrit ndjeshëm borxhin shtetëror.
Sipas opozitës, huamarrja e re prej 1.3 miliardë eurosh dëshmon se arka e shtetit është përballur me mungesë të mjeteve.
“U konfirmua ajo që ne e thoshim prej muajsh: buxheti është i zbrazur dhe qeveria po merr hua të reja”, deklaroi LSDM-ja.
Socialdemokratët e cilësojnë huamarrjen si të jashtëzakonshme dhe pretendojnë se, duke përfshirë edhe këtë shumë, gjatë dy viteve të qeverisjes aktuale shtetit do t’i jenë shtuar rreth 4 miliardë euro detyrime të reja.
Sipas tyre, kjo paraqet barrë jo vetëm për qytetarët e sotëm, por edhe për gjeneratat e ardhshme.
Paralajmërimi për borxhin deri në fund të vitit
LSDM pretendon se, nëse vazhdon ky ritëm i huamarrjes, borxhi i përgjithshëm deri në fund të vitit 2026 mund të arrijë rreth 12 miliardë euro, që sipas përllogaritjeve të opozitës do të përbënte më shumë se 65 për qind të PBB-së.
Opozita thekson se buxheti vjetor është rreth 7 miliardë euro, por sipas saj rritja e shpenzimeve dhe huamarrja nuk po përkthehen në përmirësim të standardit të jetesës.
“Populli nuk po sheh asgjë”, akuzon LSDM.
Kostoja e jetesës në qendër të kritikave
Socialdemokratët e lidhën rritjen e borxhit edhe me standardin e jetesës.
Sipas shifrave të paraqitura nga opozita, kostoja minimale e jetesës për një familje katëranëtarëshe është rritur për rreth 9.000 denarë gjatë dy viteve të fundit, ndërsa paga minimale është rritur për rreth 3.500 denarë.
LSDM pretendon se ky dallim tregon se familjet me të ardhura minimale po përballen me presion më të madh financiar, ndërsa akuzon kryeministrin Mickoski se kundërshton rritjen e pagës minimale në 600 euro.
Në të njëjtën kohë, opozita pyet se përse, përkundër huamarrjeve të mëdha dhe buxhetit më të madh, nuk ka mjete të mjaftueshme për rritje më të larta të pagave dhe pensioneve.
Debat edhe për shtyllën e dytë pensionale
Në reagimin e saj, LSDM ngriti akuza edhe lidhur me sistemin pensional, duke pretenduar se qeveria synon të ndërhyjë në kursimet e qytetarëve në shtyllën e dytë pensionale.
Opozita e cilësoi këtë si një ndërhyrje të papranueshme në kursimet pensionale dhe akuzoi qeverinë se nuk po ndërmerr masa të mjaftueshme për të lehtësuar krizën e kostos së jetesës.
LSDM vë në pikëpyetje bazën ligjore
Në fund të reagimit, socialdemokratët ngritën edhe çështjen e bazës ligjore të huamarrjes prej 1.3 miliardë eurosh.
Sipas tyre, kjo shumë nuk ishte përfshirë në ribalancin e fundit të buxhetit. Për këtë arsye, LSDM-ja drejtoi akuza ndaj ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke pretenduar se mund të ketë shkelje të Ligjit për Buxhetet.
Opozita paralajmëroi edhe përgjegjësi penale në rast se konstatohet se janë ndërmarrë veprime në kundërshtim me ligjin.
Nga ana tjetër, argumenti i qeverisë për huamarrjen është se mjetet e reja lidhen me shlyerjen e detyrimeve ekzistuese, ndërsa debati për mënyrën e menaxhimit të borxhit publik pritet të vazhdojë.
Në thelb, huamarrja e re prej 1.3 miliardë eurosh ka hapur një debat të gjerë: a po përdoret borxhi për të krijuar zhvillim dhe investime që sjellin të ardhura, apo vetëm për të mbuluar detyrime të vjetra?
Për qytetarët, përgjigjja është veçanërisht e rëndësishme, sepse kreditë që merren sot janë detyrime që do të duhet të shlyhen në vitet e ardhshme. Gazeta Flaka
The post 1.3 miliardë euro kredi të reja, borxhi publik mbi 9.3 miliardë: Qytetarët alarmohen appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.