13 zjarre në terren, 9 ende aktive – situata më kritike mbetet në disa zona pyjore

Resnjë, Saraj, Zelenikovë, Çashkë, Bogovinë, Vrapçisht, Novosellë, Strugë dhe Krivogashtan janë aktualisht zonat ku vijojnë zjarret aktive në hapësira të hapura. Qendra për Menaxhim me Kriza njofton se deri në orën 13:00 në vend janë evi...

gusht 31, 2026 - 19:01
13 zjarre në terren, 9 ende aktive – situata më kritike mbetet në disa zona pyjore

Resnjë, Saraj, Zelenikovë, Çashkë, Bogovinë, Vrapçisht, Novosellë, Strugë dhe Krivogashtan janë aktualisht zonat ku vijojnë zjarret aktive në hapësira të hapura.

Qendra për Menaxhim me Kriza njofton se deri në orën 13:00 në vend janë evidentuar gjithsej 13 zjarre në hapësira të hapura. Prej tyre, 9 mbeten aktive, 3 janë vendosur nën kontroll, ndërsa një është shuar plotësisht.

Situata kërkon vëmendje të veçantë në Podmoçan të Resnjës dhe në zonën Kopanicë–Radushë të Sarajit, ku flakët kanë përfshirë edhe sipërfaqe me pyje.

Ndërkohë, një nga vatrat që ka shkaktuar shqetësimin më të madh gjatë kësaj vale zjarresh është ajo në Pelister, e cila sipas autoriteteve tashmë është vënë nën kontroll të plotë.

Për shuarjen e saj janë angazhuar kapacitete të shumta, përfshirë helikopter të ushtrisë, aerotraktorë, ekipe zjarrfikëse nga disa rajone, pjesëtarë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe vullnetarë.

Drejtori i DMSH-së, Stojançe Angelov, e ka cilësuar zjarrin si një prej më të vështirëve të këtij sezoni, duke theksuar se prioriteti ishte parandalimi i depërtimit të flakëve në pjesët më cilësore të pyllit të Parkut Kombëtar “Pelister”.

Në terren janë angazhuar zjarrfikës nga Resnja dhe Manastiri, ndërsa ekipet e DMSH-së kanë ndërhyrë me pesë automjete “Pinzgauer”. Në operacion marrin pjesë edhe zjarrfikës vullnetarë, ndërsa pritet që në aksion të përfshihen edhe ekipe të “Pyjeve Kombëtare”.

Megjithëse zjarri në Pelister është nën kontroll, në pjesë të tjera të vendit situata mbetet aktive, me nëntë vatra që vazhdojnë të kërkojnë ndërhyrje në terren.

The post 13 zjarre në terren, 9 ende aktive – situata më kritike mbetet në disa zona pyjore appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.