17 mijë shoferë në pritje të zgjidhjes – transportuesit paralajmërojnë bllokadë të kufijve

Kamionët protestojnë para Delegacionit të BE-së në Shkup: “Nuk shkojmë për pushime, por për punë” Rreth 20 kamionë nga qytete të ndryshme të vendit u rreshtuan sot para Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, në shenjë proteste ndaj...

shtator 1, 2026 - 00:00
17 mijë shoferë në pritje të zgjidhjes – transportuesit paralajmërojnë bllokadë të kufijve

Kamionët protestojnë para Delegacionit të BE-së në Shkup: “Nuk shkojmë për pushime, por për punë”

Rreth 20 kamionë nga qytete të ndryshme të vendit u rreshtuan sot para Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, në shenjë proteste ndaj kufizimeve që prekin shoferët profesionistë maqedonas gjatë hyrjes dhe qëndrimit në zonën Shengen.

Transportuesit kërkojnë që shoferët profesionistë të mos trajtohen njësoj si turistët, pasi qëndrimi i tyre në vendet e BE-së është i lidhur drejtpërdrejt me punën dhe transportin e mallrave.

Problemi lidhet me rregullin 90 ditë brenda 180 ditëve, i cili, sipas transportuesve, po u krijon vështirësi serioze shoferëve që për shkak të natyrës së punës së tyre kalojnë vazhdimisht kufijtë e vendeve të zonës Shengen.

Ata tregojnë edhe raste kur shoferët janë ndaluar në kufi dhe madje kanë përfunduar në pranga për shkak të tejkalimit të ditëve të lejuara.

“Ne nuk shkojmë për pushime, por për punë. Ne sjellim mallra në Maqedoni, që edhe të tjerët të kenë me çfarë të punojnë. Nëse ne ndalojmë, do të ndalet gjithçka, i gjithë shteti”, deklaroi një prej transportuesve.

Sipas tyre, pasojat nuk do të kufizoheshin vetëm te sektori i transportit.

“Do të ketë pasoja për ekonominë, ekonomi më të dobët, largime nga puna. Kamionët e mbajnë në jetë të gjithë sistemin”, paralajmërojnë ata.

Transportuesit kanë vendosur edhe një afat. Nëse deri më 15 shtator nuk gjendet zgjidhje, ata paralajmërojnë se protesta mund të shndërrohet në bllokadë të plotë të pikave kufitare.

“Pas 15 shtatorit, hapi i ardhshëm do të jetë bllokadë e plotë e të gjitha pikave kufitare. Nuk duam të arrijmë asgjë të keqe, vetëm duam t’u tregojmë se sa të rëndësishëm janë kamionët”, thanë transportuesit.

Nga Ministria e Transportit thonë se e kuptojnë problemin dhe se po punojnë për zgjidhje përmes marrëveshjeve dypalëshe me vendet e zonës Shengen.

Sipas Ministrisë, marrëveshje tashmë janë arritur me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë, ndërsa po zhvillohen negociata me Austrinë dhe Gjermaninë. Takime të nivelit të lartë janë paralajmëruar edhe me Austrinë në shtator dhe Slloveninë në tetor.

Qëllimi është që transportuesit maqedonas të pajisen me zgjidhje më të përshtatshme, përfshirë viza afatgjata, në mënyrë që të mund ta kryejnë punën pa u përballur me kufizimet që vlejnë për turistët.

Problemi prek drejtpërdrejt rreth 17 mijë shoferë profesionistë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në nivel të Ballkanit Perëndimor numri arrin në rreth 100 mijë.

Tash sytë janë te takimet e radhës në Bruksel. Nëse nuk gjendet një zgjidhje kalimtare për statusin e shoferëve, rrugët drejt kufijve mund të kthehen në pikën e ardhshme të përplasjes mes transportuesve dhe autoriteteve. Gazeta Flaka

The post 17 mijë shoferë në pritje të zgjidhjes – transportuesit paralajmërojnë bllokadë të kufijve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.