Komuna e Qendrës në Shkup ka ndarë këtë vit ndihmë të njëhershme financiare për 243 familje me foshnja të porsalindura. Mbështetja është rritur nga 7.000 në 10.000 denarë, si ndihmë konkrete për prindërit e rinj.
Gjithsej 243 familje nga Komuna Qendër e Shkupit kanë përfituar këtë vit ndihmë të njëhershme financiare në vlerë prej 10.000 denarësh për lindjen e fëmijëve.
Nga komuna bëjnë të ditur se shuma e mbështetjes është rritur nga 7.000 në 10.000 denarë, me qëllim që prindërve të rinj t’u lehtësohen shpenzimet që vijnë pas lindjes së një fëmije.
Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, theksoi se ardhja në jetë e një fëmije është një nga momentet më të bukura për familjen, por njëkohësisht sjell edhe përgjegjësi dhe shpenzime të reja.
„E dimë se në këto momente çdo ndihmë financiare është e mirëseardhur. Prandaj vendosëm ta rrisim mbështetjen e njëhershme dhe këtë premtim e realizuam. Për ne është e rëndësishme që kujdesi për familjet të mos mbetet vetëm në fjalë dhe premtime, por të shndërrohet në mbështetje konkrete që qytetarët e marrin drejtpërdrejt“, deklaroi Gerasimovski.
Komuna Qendër thekson se do të vazhdojë të investojë në mbështetjen e familjeve, me fokus të veçantë te fëmijët dhe krijimi i kushteve më të mira për rritjen dhe zhvillimin e tyre.
Një shembull që mund ta ndjekin edhe komunat e tjera
Kjo është një iniciativë pozitive që meriton vëmendje edhe përtej kufijve të Komunës Qendër. Ndihma prej 10.000 denarësh nuk i zgjidh të gjitha sfidat financiare të prindërve të rinj, por është një mbështetje konkrete në një periudhë kur familjet përballen me shpenzime të reja.
Përballë rënies së natalitetit dhe sfidave demografike, lind pyetja: Pse një praktikë e tillë nuk bëhet pjesë e politikave sociale edhe në komunat e tjera të vendit?
Kryetarët e komunave mund të shqyrtojnë mundësinë e ndarjes së ndihmave të ngjashme, duke përshtatur shumën me kapacitetet buxhetore të komunave të tyre. Mbështetja për familjet e reja nuk duhet të jetë vetëm premtim elektoral, por një politikë konkrete lokale. Flaka
The post 243 familje përfitojnë nga ndihma për të porsalindurit në Qendër, pse nuk e ndjekin këtë shembull edhe komunat e tjera? appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




