25 vite nga Marrëveshja e Ohrit, Bekim Sali: Partneriteti ndëretnik, çelësi i së ardhmes europiane

Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali theksoi se 25-vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit është një moment për të rikujtuar të kaluarën, por edhe për të reflektuar mbi përgjegjësinë e institucioneve për të ardhmen e vendit. Ai këtë e th...

gusht 13, 2026 - 14:30
25 vite nga Marrëveshja e Ohrit, Bekim Sali: Partneriteti ndëretnik, çelësi i së ardhmes europiane

Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali theksoi se 25-vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit është një moment për të rikujtuar të kaluarën, por edhe për të reflektuar mbi përgjegjësinë e institucioneve për të ardhmen e vendit.

Ai këtë e theksoi sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u mbajt seancë solemne me rastin e përvjetorit të saj.

Sipas Ministrit Sali , Marrëveshja e Ohrit ishte instrumenti që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe vendosi një qasje të re në organizimin dhe funksionimin e shtetit, duke e bazuar stabilitetin në partneritetin ndërmjet komuniteteve, barazinë qytetare dhe përfaqësimin e drejtë.

“Demokracia nuk matet vetëm me zgjedhje të lira, por edhe me aftësinë e institucioneve për të garantuar përfshirje, përfaqësim të drejtë, dialog dhe besim ndërmjet qytetarëve”, theksoi Ministri Sali.

Zëvendëskryeministri i Parë , nënvizoi se Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk duhet të shihet vetëm si një dokument historik, por si një mekanizëm i gjallë i rendit kushtetues dhe si orientim politik për institucionet e vendit. Në këtë drejtim, ai përmendi edhe iniciativën e Qeverisë për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të propozuar për miratim në Kuvend.

Zëvendëskryeministri i parë theksoi se përvoja e 25 viteve të fundit ka dëshmuar se stabiliteti ndërtohet përmes dialogut, komunikimit, kompromisit dhe respektimit të marrëveshjeve.

“Dialogu nuk duhet të shihet si kompromis me parimet. Dialogu është mënyra më demokratike për t’i mbrojtur parimet”, u shpreh Sali, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet komuniteteve.

Në fjalimin e tij, ai vuri në dukje se ruajtja e partneritetit ndëretnik është interes strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas Ministrit Sali, një shtet multietnik mund të jetë i suksesshëm vetëm kur çdo komunitet e ndjen veten pjesë të barabartë të institucioneve dhe bashkëpërgjegjës për të ardhmen e vendit.

Në këtë kontekst, Zëvendëskryeministri i Parë e lidhi frymën e Marrëveshjes së Ohrit edhe me procesin e integrimit europian, duke theksuar se parimi europian “Të bashkuar në diversitet” përkon me filozofinë e marrëveshjes, e cila e ndërtoi paqen mbi pranimin dhe respektimin e dallimeve.

Në përmbyllje, Zëvendëskryeministri i Parë theksoi se detyra e gjeneratës së sotme nuk është vetëm ta ruajë Marrëveshjen e Ohrit si arritje historike, por edhe ta zhvillojë atë përmes institucioneve më efikase, forcimit të besimit ndërmjet komuniteteve dhe ndërtimit të një shteti me standarde të larta europiane.

“Le të jetë ky jubile jo vetëm një kujtesë për atë që kemi arritur, por edhe një zotim për atë që duhet ta ndërtojmë”, përfundoi Ministri Sali.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.