44 raste me ethe të Nilit Perëndimor në RMV, 21 pacientë janë liruar nga spitali
Gjithsej 44 raste me ethe të Nilit Perëndimor janë konfirmuar deri më tani, prej të cilëve 43 janë hospitalizuar, ndërsa pjesa më e madhe e tyre kanë formë neuroinvazive të sëmundjes, transmeton Portalb.mk. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Kl...
Gjithsej 44 raste me ethe të Nilit Perëndimor janë konfirmuar deri më tani, prej të cilëve 43 janë hospitalizuar, ndërsa pjesa më e madhe e tyre kanë formë neuroinvazive të sëmundjes, transmeton Portalb.mk.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski tha se sistemi është i përgatitur dhe punonjësit shëndetësorë e kanë mbështetjen tonë të plotë në përballjen me ethet e Nilit Perëndimor si sfidë për shëndetin publik.
Ai u bëri apel qytetarëve që, nëse vërejnë simptoma si temperaturë të lartë, qafë të ngurtësuar, çorientim, dobësi ose konvulsione, menjëherë të kontaktojnë mjekun e tyre amë.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se që nga fillimi i epidemisë e deri më tani, 21 pacientë janë liruar nga spitali dhe janë dërguar për trajtim në shtëpi, ndërsa edhe katër pacientë të tjerë do të lirohen gjatë ditës së sotme.
Deri më tani, pesë persona kanë humbur jetën nga virusi i Nilit Perëndimor.
Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore.
Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.
Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.
Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.