Partia Levica ka kritikuar Qeverinë për mungesë të masave konkrete për të frenuar rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, pasi janë paralajmëruar shtrenjtimet e reja të bukës dhe vezëve.

Sipas njoftimit të kësaj partie, çmimi i bukës pritet të rritet për 2 deri në 4 denarë, ndërsa vezët për 5 deri në 7 denarë, duke rënduar më tej buxhetin familjar.

Nga Levica vlerësojnë se këto shtrenjtimе ndodhin në një kohë kur Qeveria e paraqet gjendjen ekonomike si stabile, ndërsa qytetarët përballen me kushte gjithnjë e më të vështira jetese.

Partia thekson se, edhe pas 35 vitesh qeverisjeje të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, vendi ende nuk ka ndërtuar një sistem të qëndrueshëm të prodhimit vendor për të siguruar sasi të mjaftueshme të produkteve ushqimore.

Si veçanërisht shqetësues, Levica e cilëson faktin se gjatë vitit 2024, pothuajse 51 për qind e shpenzimeve të përgjithshme konsumatore të amvisërive në Maqedoni janë dedikuar për ushqim dhe pije joalkoolike, ndërsa mesatarja në Bashkimin Evropian është 14,3 për qind.

Sipas partisë, kjo dëshmon se sa e madhe është barra e shpenzimeve për ushqim në buxhetet familjare, duke i detyruar qytetarët të blejnë produkte më të lira dhe të kufizojnë një pjesë të konsumit ushqimor.

Levica paralajmëron se shtrenjtimet e reja do ta rrisin edhe më tej koston e shportës së konsumit, e cila tashmë është e papërballueshme për shumë familje. Partia kritikon gjithashtu politikat qeveritare për planifikimin e mjeteve publike, duke vlerësuar se mungojnë investimet në sektorët që mund të sigurojnë stabilitet më të madh në prodhimin e ushqimit.

Kërkohet kufizimi i marzheve tregtare

Levica kërkon nga Qeveria që urgjentisht të kufizojë marzhet tregtare për produktet bazë ushqimore, së paku gjatë periudhës së ardhshme dimërore, me qëllim parandalimin e shtrenjtimit të mëtejshëm dhe përfitimeve të tepruara në kurriz të qytetarëve.

Si zgjidhje afatgjata, partia propozon ndërtimin e infrastrukturës bujqësore dhe organizimin e fermerëve në kooperativa, me qëllim forcimin e prodhimit vendor dhe zvogëlimin e varësisë nga importi.

The post 51% e buxhetit familjar për ushqim, Levica kritikon politikat ekonomike të Qeverisë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.