6 milionë eurot për Bulevardin “Hasan Prishtina” ndezin përplasjen mes opozitës shqiptare BDI dhe ASH me VLEN

BDI akuzon pushtetin se ka ridestinuar mjetet e parapara për një nga projektet kryesore infrastrukturore në veri të Shkupit, ndërsa VLEN kundërpërgjigjet se projekti ka mbetur i parealizuar nga qeverisjet e mëparshme. Ridestinimi i rreth...

gusht 31, 2026 - 19:01
6 milionë eurot për Bulevardin “Hasan Prishtina” ndezin përplasjen mes opozitës shqiptare BDI dhe ASH me VLEN

BDI akuzon pushtetin se ka ridestinuar mjetet e parapara për një nga projektet kryesore infrastrukturore në veri të Shkupit, ndërsa VLEN kundërpërgjigjet se projekti ka mbetur i parealizuar nga qeverisjet e mëparshme.

Ridestinimi i rreth 6 milionë eurove të parapara për ndërtimin e Bulevardit “Hasan Prishtina” në Shkup ka rikthyer përplasjet politike mes BDI-së dhe VLEN-it. Palët akuzojnë njëra-tjetrën për përgjegjësinë mbi mosrealizimin e projektit dhe mënyrën e menaxhimit të mjeteve të destinuara për të.

Ish-zëvendësministri i Transportit nga radhët e BDI-së, Bekim Rexhepi, ka kritikuar vendimin për ridestinimin e mjeteve, duke e lidhur atë edhe me ceremoninë për vazhdimin e autostradës Shkup–Bllacë.

Rexhepi e cilëson si paradoks faktin që, në kohën kur paralajmërohet vazhdimi i autostradës drejt Bllacës, mjetet për një aks të rëndësishëm që duhet ta lidhë këtë drejtim me Shkupin po ridestinohen.

“Kjo ndodh në të njëjtën kohë kur Qeveria organizon ceremoni për vazhdimin e autostradës Shkup–Bllacë. Prandaj pyetja është e thjeshtë: Çfarë kuptimi ka autostrada drejt Bllacës, nëse rruga që duhet ta lidhë atë me Shkupin mbetet në gjendjen aktuale, me ngushtica, kolona dhe kaos të përditshëm?”, deklaroi Rexhepi.

Nga VLEN-i, akuzave të BDI-së u janë përgjigjur me kundërakuza. Këshilltari i VLEN-it në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Astrit Iljazi, thotë se BDI po përpiqet ta paraqesë projektin si të realizuar politikisht, ndonëse, sipas tij, gjatë qeverisjeve të mëparshme nuk është përfunduar asnjëherë.

Iljazi pretendon se dokumentet zyrtare tregojnë mungesë të kontratave për realizimin e projekteve përkatëse, ndërsa, sipas tij, raportet e Revizionit nuk kanë ofruar dëshmi të mjaftueshme për gatishmërinë teknike dhe për çështjet pronësore-juridike.

“BDI sot po përpiqet ta shpallë si sukses një projekt që vetë e la të parealizuar. Por dokumentet zyrtare janë më të forta se propaganda partiake. Të transferosh para dhe të mos ndërtosh asgjë nuk është sukses. Të lësh miliona në llogari nuk është bulevard. Të vizatosh një rrugë në letër nuk është asfalt”, tha Iljazi.

Bulevardi “Hasan Prishtina” është përmendur prej vitesh si një nga projektet e rëndësishme infrastrukturore për këtë pjesë të Shkupit. Para zgjedhjeve parlamentare, ndërtimi i tij ishte pjesë e premtimeve të partive politike gjatë takimeve me bizneset dhe komunitetin që graviton në këtë zonë.

Përplasja e fundit politike, megjithatë, nuk lidhet vetëm me mosrealizimin e projektit, por edhe me fatin e rreth 6 milionë eurove të parapara për të.

Nga Aleanca për Shqiptarët kanë akuzuar se mjetet e destinuara për Bulevardin “Hasan Prishtina” janë marrë dhe ridestinuar për një projekt tjetër.

Sipas tyre, bëhet fjalë për një aks me rëndësi strategjike që duhet të përmirësojë lidhjen e Shkupit me rrugën drejt Kosovës dhe të lehtësojë trafikun në një nga zonat më të ngarkuara të kryeqytetit.

Debati tashmë është zhvendosur te përgjegjësia politike: BDI kërkon llogari për ridestinimin e mjeteve, ndërsa VLEN përgjigjet se nuk mund të quhet i humbur një projekt që, sipas tyre, nuk ishte realizuar as nga qeverisjet e mëparshme.

Për banorët e Çairit, Butelit, Shutës, Vizbegut dhe zonave përreth, problemi mbetet konkret: gjendja e trafikut dhe mungesa e një zgjidhjeje të qëndrueshme infrastrukturore.

Pyetjet kryesore që mbeten janë nëse dhe kur do të ndërtohet Bulevardi “Hasan Prishtina”, si do të sigurohet financimi për të dhe kush mban përgjegjësi për mosrealizimin e tij deri më tani. Gazeta Flaka

The post 6 milionë eurot për Bulevardin “Hasan Prishtina” ndezin përplasjen mes opozitës shqiptare BDI dhe ASH me VLEN appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.