600 magjistra dhe 20 doktorë shkencash bredhin të papunë
Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 110 mijë të papunë prej tyre mbi 10 mijë janë me arsim sipëror, me ç’rast deri 600 veta janë magjistra dhe rreth 20 doktorë shkencash, të cilët nuk mund të gjejnë një vend pune. Rreth gjysma e num...
Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 110 mijë të papunë prej tyre mbi 10 mijë janë me arsim sipëror, me ç’rast deri 600 veta janë magjistra dhe rreth 20 doktorë shkencash, të cilët nuk mund të gjejnë një vend pune. Rreth gjysma e numrit të papunësuarve janë të moshes 39 vjeçare.
Përgatiti: Anila Pajaziti
“Shkollohu”, “Dituria është fuqi”, janë disa nga sloganet e fushatës së Qeverive të Maqedonisë së Veriut për ti stimuluar të rinjtë që të regjistrohen në studime, për ta siguruar atë ardhmen e tyre.
Dhe një numër i madh i të rinjve, regjistrohen në fakultete, mbarojnë studimet, magjistrojnë, doktorojnë, por sërish mbeten nën mëshirën e partive politike, varësisht cila prej tyre është në pushtet, për ato sërish mbetet të mashtruar në rrugë dhe pa fatin e përcaktuar në planin profesional, përcjell INA.
Faktori kryesor për të gjetur një punë është libreza partiake, e jo diploma e universitetit apo titujt e arritur shkencor. Shumica e të rinjve theksojnë se janë pengje dhe viktima kësaj sindrome, për pamundësinë e tyre për punësim në profesion.
Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), nga mbi 100 mijë të papunë në Maqedoni, mbi 10 mijë prej tyre janë me arsimim të lartë. Nga kjo shifër, gati 600 janë kuadro që kanë të kryer magjistraturën, kurse rreth 20 kuadro janë doktor shkencash.
Sipas këtij raporti, rreth gjysma e të papunëve kësaj kategorie me arsimim të lartë janë deri në moshën 39 vjeçare.
Punësimi nëpërmjet lidhjeve partiake, miqësore dhe lidhjeve të vjetra të periudhës së kaluar, por edhe nëpërmjet dhënies së mitos, është një realitet që ka gërryer vlerat dhe vështirësuar rrugëtimin e çdo të riu, që është detyruar ta braktis vendin.
Administrata shtetërore dhe institucionet e ndryshme me vite janë të stërmbushur nga individë të tillë, shumica të papërgatitur dhe tejet inferiorë për të kryer detyrën që e obligon vendi i punës.
Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore dhe hulumtimet e organizatave joqeveritare brenda dhe jashtë vendit. Bashkimi Evropian vazhdimisht ka tërhequr vërejtjen për administratën e stërngarkuar me aktivistë partiakë dhe nevojën urgjente të profesionalizimit të saj, sidomos në sektorë më të ndjeshëm.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.