8 viktima, 65 të infektuar – Shkupi mbetet epiqendra e virusit të Nilit Perëndimor

Tetë persona kanë humbur jetën nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut, ndërsa numri i rasteve të regjistruara ka arritur në 65, sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik deri më 15 shtator. Shkupi mbetet z...

shtator 17, 2026 - 16:30
8 viktima, 65 të infektuar – Shkupi mbetet epiqendra e virusit të Nilit Perëndimor

Tetë persona kanë humbur jetën nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut, ndërsa numri i rasteve të regjistruara ka arritur në 65, sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik deri më 15 shtator.

Shkupi mbetet zona më e prekur, me 60 raste. Numri më i madh i infeksioneve është regjistruar në komunën e Kisella Vodës, veçanërisht në Draçevë, si dhe në territorin e komunës së Gazi Babës.

Jashtë Shkupit janë konfirmuar nga dy raste në Veles, ndërsa nga një rast në Kumanovë, Sveti Nikollë dhe Kavadar.

Nga 65 rastet, 60 janë konfirmuar laboratorikisht, ndërsa pesë konsiderohen të mundshme. Në 64 raste infeksioni është transmetuar lokalisht, ndërsa një person kishte qëndruar në Greqi gjatë periudhës së inkubacionit.

Shumica e të infektuarve janë meshkuj – 51 raste, ndërsa 14 janë gra.

Në 63 pacientë është zhvilluar forma neuroinvazive e sëmundjes, duke kërkuar trajtim spitalor. Tetë prej tyre kanë ndërruar jetë.

Instituti i Shëndetit Publik rekomandon mbrojtjen nga pickimet e mushkonjave, ndërsa në Shkup po zhvillohet edhe dezinsektimi kundër mushkonjave të rritura. Spërkatja është planifikuar nga 16 deri më 19 shtator, gjatë orëve të natës, nëse kushtet atmosferike e lejojnë.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.