A do të bisedojë me Kurtin dhe a do ta ekstradojë Radoiçiqin? Përgjigjet bartësi i Listës Studentore

Lista Studentore do të vazhdojë dialogun për Kosovën dhe do të shqyrtojë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të nënshkruar më 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kësht...

tetor 28, 2026 - 14:30
A do të bisedojë me Kurtin dhe a do ta ekstradojë Radoiçiqin? Përgjigjet bartësi i Listës Studentore

Lista Studentore do të vazhdojë dialogun për Kosovën dhe do të shqyrtojë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të nënshkruar më 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kështu ka deklaruar Ilija Srdanoviq, bartës i kësaj liste në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.

Në një intervistë për programin “Uvid” të Radio Evropës së Lirë, ai tha se qeveria e re do t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga qeveria e Aleksandar Vuçiqit.

I pyetur nëse kjo nënkupton vazhdimin e dialogut dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve, Srdanoviqi u përgjigj se lëvizja e tij “do të mbetet e hapur për bisedime”, me synimin për të zgjidhur çështjet që janë në interes të qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Megjithatë, ai theksoi se marrëveshjet e arritura nga zyrtarët serbë mund të rishqyrtohen për të vlerësuar përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën e Serbisë.

Sa i përket mundësisë së zhvillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Srdanoviqi tha se “vendimet për këtë çështje do të merren pas formimit të qeverisë së re”.

Ai nuk dha një përgjigje përfundimtare nëse qeveria e re do të ishte e gatshme ta ekstradonte në Kosovë Milan Radoiçiqin, duke theksuar se “çështje të tilla do të trajtohen në përputhje me procedurat ligjore të Serbisë”.

Srdanoviqi është bartës i Listës Studentore, e cila u formua në bazë të vendimeve të plenumeve të fakulteteve në Serbi. Lëvizja doli nga protestat dyvjeçare kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit, duke synuar fillimisht të funksiononte si organizim pa një lider të vetëm.

Ai e cilësoi vazhdimin e dialogut për Kosovën si pjesë thelbësore të planit të studentëve, por nënvizoi se qëndrimet e tyre për këtë çështje do të bazohen në Kushtetutën e Serbisë.

The post A do të bisedojë me Kurtin dhe a do ta ekstradojë Radoiçiqin? Përgjigjet bartësi i Listës Studentore appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.