A e evitoi kryeministri Kurti grushtshtetin?!
NGA SKËNDER MUSLIU Kush po i fryen zjarrit?! Protestat janë e drejtë fundamentale e demokracisë për shprehjen e pakënaqësive dhe kërkesave legjitime, sikurse edhe ato që i organizoi për 21 ditë PAN-i dhe OVL-UÇK-ja me «degët» e tyre «Liria ...
NGA SKËNDER MUSLIU
Kush po i fryen zjarrit?!
Protestat janë e drejtë fundamentale e demokracisë për shprehjen e pakënaqësive dhe kërkesave legjitime, sikurse edhe ato që i organizoi për 21 ditë PAN-i dhe OVL-UÇK-ja me «degët» e tyre «Liria ka emër» dhe «Jo në emrin tim», për të shprehur pakënaqësinë dhe kundërshtimin e Aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale kundër H. Thaçit, K. Veselit, J. Krasniqit dhe R. Selimit.
Protestat e paralajmëruara paqësore u bënë edhe të dhunshme, për çka fajin kryesor e kanë ideatorët dhe organizatorët, respektivisht politikanët e PDK-së, AAK-së, Nismës dhe OVL-UÇK-së, të sponsorizuara nga medie mercenare, të cilët me deklaratat dhe veprimet e tyre të papërgjegjshme i frynin zjarrit, duke e nxitur dhunën e pajustifikuar. Nën urdhrat e shefave të tyre, veprimet arrogante të disa «veteranëve» më shumë i ngjanin huliganëve të shfrenuar sesa protestave paqësore për drejtësi dhe mbrojtjen e vlerave të UÇK-së.
Këtyre protestave u prinin partitë më të kriminalizuara dhe më të korruptuara të skenës politike, të njohura si milionerët e pasluftës, bashkë me deputetët e turpit që e votuan Gjykatën Speciale, të cilët kanë qenë edhe sabotuesit dhe bojkotuesit kryesorë për moskonstituimin e institucioneve shtetërore për dy vjet me radhë. PAN-i, me këto protesta, përmes keqpërdorimit dhe instrumentalizimit të UÇK-së, në veçanti të OVL-UÇK-së, të cilën e kanë shndërruar në degë partiake, jo vetëm që ka manipuluar me ndjenjat e qytetarëve dhe fatin e të dënuarve të Hagës, por edhe ka polarizuar skajshmërisht dhe ka krijuar urrejtje të mëdha në shoqërinë kosovare, vetëm e vetëm për t’i siguruar dhe forcuar pozicionet e veta politike.
Këto protesta fillimisht ishin organizuar për ta shprehur pakënaqësinë kundër Aktgjykimit në fjalë, mirëpo shumë shpejt kjo kauzë ra poshtë, sepse kërkesat morën kahje politike, duke kërkuar dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë, zonjës Gërvalla, kundër Qeverisë Kurti, e të tjera. Jo vetëm kaq, ato u bënë të dhunshme, duke hedhur kokteje molotovi në hapësirat e EULEX-it, fishekzjarrë në Qeverinë e Kosovës, Kuvend dhe në drejtim të policisë, si dhe duke i zvarritur deputetët e LVV-së. Kur kësaj ia shtojmë faktin se protestues të maskuar thyen dritaret e Qeverisë dhe Kuvendit, se ishin shpërndarë para me thasë, se ishin përleshur «veteranët» mes vete, se Policia e Kosovës kishte zbuluar protestues të armatosur, madje, kur një gazetare e pyeti një protestues në oborrin e Kuvendit nëse do të qëndronin në protesta derisa të miratohej Ligji për Dhomat e Specializuara, ai ishte përgjigjur se ne nuk flasim, por veprojmë sipas urdhrave që na japin shefat.
Nëse i analizojmë këto veprime, të menaxhuara nga shefat e tyre, me të drejtë shtrohet pyetja se a shërbeu Aktgjykimi i Hagës si pretekst për organizimin e një grushtshteti nga PAN-i dhe OVL-UÇK-ja kundër Qeverisë Kurti, për përmbysjen e rendit kushtetues dhe destabilizimin e Kosovës?!
Konsideroj se vetëm falë mençurisë dhe insistimit konsistent të kryeministrit Kurti për ta zgjidhur krizën që qëllimisht e shkaktuan PAN-i dhe OVL-UÇK-ja për zgjedhjen e presidentit/es, u evitua gjakderdhja që ishte përgatitur nga strukturat kriminale të PAN-it, mbase edhe vetë Nasim Haradinaj, në një intervistë televizive, menjëherë pas protestave, kishte deklaruar se një skenar i tillë kishte ekzistuar.
Në këtë situatë të tendosur dhe kritike, një rol të rëndësishëm luajti edhe Policia e Kosovës, e cila, me mençuri dhe profesionalizëm, edhe përkundër provokimeve dhe sulmeve nga protestuesit, gjatë të cilave u plagosën me dhjetëra policë, mbrojti jetën dhe sigurinë e qytetarëve dhe institucionet vitale të shtetit.
E gjithë kjo ishte bërë për ta penguar Kurtin të vinte përsëri në pushtet, për t’ia bllokuar reformat në drejtësi, të cilat janë bërë ankth për milionerët e parave të pista të opozitës, si dhe për të penguar hetimin e politikanëve të profilit të lartë që ndër dekada bashkëpunuan me strukturat kriminale serbe, me BIA-n, Radoiçiqin, Veselinoviqin dhe jo vetëm.
Ky organizim i protestave të PAN-it ishte përgatitur disa muaj më parë, sepse, në mënyrë të sinkronizuar dhe sistematike, ata bashkërisht deklaronin se Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër, se Kurti është spiun i Serbisë, se Kurti dhe kabineti i tij duhet të tërhiqen zvarrë nëpër rrugë, se duhet të përdoren të gjitha mjetet për ta larguar Kurtin nga pushteti, se duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Të gjitha këto kanë pasur një emërues të përbashkët: që, përmes grushtshtetit, të largohet kryeministri Kurti nga pushteti, në mos edhe të arrestohej.
Prandaj, nuk janë të rastësishme obstruksionet e opozitës kundër reformave në drejtësi dhe bllokadat dyvjeçare për konstituimin e institucioneve më vitale, pa të cilat pamundësohet funksionimi normal i shtetit.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.