A po përgatitet marrëveshja Kurti–Abdixhiku? Profesori zbulon skenarin për presidentin e ri
Takimi ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku është diskutuar për kriteret dhe profilin që duhet të ketë presidenti i ardhshëm i Kosovës, ka rikthyer në qendër të vëmendjes mun...
Takimi ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku është diskutuar për kriteret dhe profilin që duhet të ketë presidenti i ardhshëm i Kosovës, ka rikthyer në qendër të vëmendjes mundësinë e një marrëveshjeje politike mes dy subjekteve kryesore.
Në një kohë kur Kosova po përballet me ngërç institucional, gatishmëria e dy liderëve për të diskutuar rreth profilit të presidentit dhe mundësisë që në takimet e ardhshme të shqyrtohen edhe emra konkretë po shihet si një lëvizje që mund të hapë rrugën drejt një kompromisi.
Por, a është ky vetëm një hap procedural apo po përgatitet terreni për një marrëveshje konkrete mes LVV-së dhe LDK-së?
Në lidhje me këto zhvillime, për “Bota sot” ka folur profesori Nijazi Halili.
Ai vlerëson se takimi Kurti–Abdixhiku duhet parë si një zhvillim me rëndësi politike, sidomos duke marrë parasysh situatën institucionale në të cilën ndodhet Kosova.
Sipas tij, fakti që diskutimi ka kaluar nga parimet e përgjithshme te kriteret dhe profili i presidentit të ardhshëm, ndërsa është paralajmëruar edhe mundësia e diskutimit për emra konkretë, tregon se komunikimi mes dy palëve nuk është më thjesht procedural.
“Takimi ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duhet parë si një zhvillim politik me rëndësi, sidomos në rrethanat e ngërçit institucional në të cilin ndodhet Kosova. Fakti që palët kanë diskutuar jo vetëm për parimet, por edhe për kriteret dhe profilin e presidentit të ardhshëm, ndërsa kanë paralajmëruar se në takimet e ardhshme mund të shqyrtohen emra konkretë, tregon se dialogu ka kaluar përtej një kontakti thjesht procedural”, tha Halili.
Megjithatë, profesori tërheq vërejtjen se ende nuk mund të flitet për një marrëveshje të përfunduar politike mes dy subjekteve.
Sipas tij, prova e vërtetë e këtij dialogu do të vijë në momentin kur LVV dhe LDK të përballen me çështjen e emrit konkret dhe sigurimit të votave të nevojshme në Kuvend.
“Megjithatë, do të ishte e parakohshme të flitej për një marrëveshje të përfunduar politike. Marrëveshja reale do të testohet në momentin kur palët të vendosin për një emër konkret dhe të sigurojnë mbështetjen e nevojshme parlamentare. Pra, kemi një sinjal pozitiv dhe një hap drejt kompromisit, por jo ende një marrëveshje të konsoliduar”, theksoi ai.
Halili vlerëson se mundësia për një emër konsensual ekziston, por kjo do të varet nga gatishmëria e dy partive për ta vendosur interesin institucional mbi atë partiak.
Ai e sheh si një bazë për kompromis edhe qëndrimin e LDK-së se presidenti nuk duhet të jetë një figurë thjesht partiake, por një person që gëzon respekt më të gjerë dhe mund të përfaqësojë unitetin politik.
“Në vlerësimin tim, gjasat për një emër konsensual ekzistojnë dhe janë më të mëdha nëse të dyja partitë e vendosin interesin institucional mbi interesat partiake. Edhe deklarimet publike të Abdixhikut se LDK-ja nuk kërkon një president partiak, por një figurë të respektuar që përfaqëson unitetin politik, krijojnë një bazë të mundshme për kompromis”, u shpreh profesori.
Por cili do të duhej të ishte profili i presidentit të ardhshëm të Kosovës?
Halili thotë se kandidati duhet të jetë një figurë me integritet dhe autoritet publik, me orientim të qartë euroatlantik dhe respekt për Kushtetutën, por mbi të gjitha të ketë aftësi për të përfaqësuar unitetin e qytetarëve.
“Presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë me integritet, autoritet publik, orientim të qartë euroatlantik, respekt për Kushtetutën dhe aftësi për të përfaqësuar unitetin e qytetarëve, jo vetëm interesat e një subjekti politik. Në këtë kuptim, çështja nuk duhet të reduktohet në atë se cila parti e propozon presidentin, por në atë se cili kandidat mund të krijojë besim më të gjerë institucional dhe shoqëror”, tha ai.
Në këtë drejtim, profesori e sheh marrëveshjen eventuale mes LVV-së dhe LDK-së si një mundësi për të tejkaluar ngërçin institucional, nëse palët arrijnë të dakordohen për një kandidat dhe të sigurojnë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.
Në të kundërtën, paralajmëron ai, diskutimi mund të mbetet vetëm në nivel deklarativ.
“Nëse LVV dhe LDK arrijnë të pajtohen për një kandidat të tillë dhe të sigurojnë votat e nevojshme në Kuvend, atëherë kjo mund të jetë pikënisje për tejkalimin e ngërçit institucional. Në të kundërtën, nëse diskutimi mbetet vetëm te kriteret dhe nuk shndërrohet në kompromis për një emër konkret, atëherë rrezikon të jetë vetëm një tjetër përpjekje politike pa rezultat”, theksoi Halili.
Në fund, ai e konsideron situatën aktuale si një mundësi të rëndësishme për kompromis politik, por nënvizon se gjithçka do të varet nga gatishmëria e dy liderëve për të bërë hapin përfundimtar.
“Prandaj, unë do ta konsideroja zhvillimin aktual si një dritare të rëndësishme për kompromis politik, por suksesi do të varet nga gatishmëria e palëve për të bërë kompromisin përfundimtar. Kosova ka nevojë për funksionim normal institucional dhe jo për zgjatje të mëtejshme të krizës politike”, përfundoi profesori Nijazi Halili për “Bota sot”.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.