Abdixhiku pas tërheqjes së Sejdiut: Në Kosovë po rrënohet çdo përpjekje normale
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës. Abdixhiku ka vlerësuar se Sejdiu tregoi dinjitet me vendimin e tij, duke thënë se ai do të ishte...


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës.
Abdixhiku ka vlerësuar se Sejdiu tregoi dinjitet me vendimin e tij, duke thënë se ai do të ishte zgjedhja e duhur për President.
“Bekim Sejdiu tregoi dinjitet. Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë, do të ishte zgjedhja e duhur për President”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka shprehur keqardhje që Kosova aktualisht nuk ka President dhe se, sipas tij, në vend të një zgjidhjeje politike është krijuar kaos dhe bllokadë institucionale.
“Keqardhje që sot nuk kemi President. Që në vend të një zgjidhjeje kemi kaosin politik, bllokadën si mjet dhe zgjedhjet e reja, edhe një herë, si qëllim”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka kritikuar edhe sulmet ndaj Sejdiut, duke thënë se ai u bë padrejtësisht shënjestër e tyre.
“Keqardhje edhe për Bekimin, që padrejtësisht u bë shënjestër e sulmeve të paprecedenta për mbytjen e karakterit të tij”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka thënë se Kosova ka nevojë për njerëz të mirë dhe ka kritikuar klasën politike për, siç është shprehur, rrënimin e çdo përpjekjeje për një zgjidhje normale.
“Kjo është PISA politike e Kosovës. Me rëndësi të rrënojmë çdo përpjekje normale sot! Bllokohemi, ngecim, urrejmë, mbysim karaktere dhe përfundojmë sërish në zgjedhje”, ka shkruar Abdixhiku.
Në fund, ai e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë dhe dinjitetin e treguar.
“Të faleminderit Bekim për gadishmërinë dhe dinjitetin e treguar në vazhdimësi. Në kohë të politikës së sotme, këto virtyte janë vlerë”, ka përfunduar Abdixhiku.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.