Ish-sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka reaguar lidhur me zhvillimet e brendshme në këtë parti, duke kritikuar mënyrën se si po trajtohen njerëzit që kanë kontribuar ndër vite në LDK.

Përmes një shkrimi, Beqiri ka thënë se të qenit pjesë e LDK-së nuk nënkupton heshtje përballë gabimeve dhe as pajtim me çdo vendim të partisë, por guxim për të kritikuar dhe kërkuar përgjegjësi.

Ai ka shprehur pakënaqësi ndaj, siç i ka cilësuar, njerëzve që nuk kanë kontribuar në parti dhe që sot marrin guximin t’u japin leksione atyre që kanë qenë pjesë e historisë së saj.

“Është e papranueshme që njerëz që nuk kanë sjellë asnjë votë, nuk kanë dhënë asnjë kontribut të mirëfilltë dhe nuk kanë qenë pranë LDK-së kur kishte më së shumti nevojë, sot marrin guximin t’u japin leksione atyre që janë pjesë e historisë së saj. Para se të gjykosh kontributin e dikujt tjetër, pyete veten çfarë ke bërë ti për LDK-në?”, ka shkruar Beqiri.

Ai ka kritikuar edhe heshtjen e partisë, duke vlerësuar se LDK-së i mungon guximi për të reaguar dhe për të përballur problemet e brendshme.

Sipas tij, meritat historike të LDK-së nuk mund të përdoren vazhdimisht për të justifikuar dobësitë dhe dështimet e së tashmes.

“Nuk mund të flasësh për bashkim duke i larguar ata që e ndërtuan LDK-në. Nuk mund të kërkosh respekt duke mos respektuar kontributin e të tjerëve. Dhe nuk mund të pretendosh ndryshim, nëse nuk ke guximin të ndryshosh vetë”, ka deklaruar ai.

Në fund, Beqiri ka theksuar se LDK-ja nuk duhet të jetë pronë e askujt, por shtëpi e të gjithë atyre që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për të.

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.