Ademi: Procesi ndaj Grubit është lojë dhe hakmarrje politike

Procesi gjyqësor ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi është “lojë” dhe “hakmarrje politike”, vlerëson sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi. I pyetur nga gazetarët, Ademi tha se, juridikisht d...

tetor 7, 2026 - 13:30
Ademi: Procesi ndaj Grubit është lojë dhe hakmarrje politike

Procesi gjyqësor ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi është “lojë” dhe “hakmarrje politike”, vlerëson sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi.

I pyetur nga gazetarët, Ademi tha se, juridikisht dhe formalisht, Grubi vazhdon të konsiderohet i pafajshëm, pasi ndaj tij ende nuk ka një aktgjykim të formës së prerë.

Sipas Ademit, pafajësinë e Grubit e dëshmojnë edhe zyrtarë aktualë të institucioneve të përmendura në lëndën për të cilën ai po gjykohet. Ai pranoi gjithashtu se vazhdon të ketë kontakte me ish-zëvendëskryeministrin.

“Sigurisht që kemi komunikim individualisht. Gjithkush konsiderohet i pafajshëm derisa të mos ketë një aktgjykim të formës së prerë. Në këtë rast, ju vetë jeni dëshmitarë se bëhet fjalë për një hakmarrje klasike politike ndaj z. Grubi dhe kjo po dëshmohet në proces. Po dëshmohet edhe përmes dëshmive të drejtuesve dhe përgjegjësve aktualë në institucione, të cilët po dëshmojnë në favor të së vërtetës”, deklaroi Ademi.

Ademi u pyet edhe për mundësinë e rikthimit të Artan Grubit në skenën publike dhe angazhimit të tij të ardhshëm në BDI.

“Z. Grubi me kohë është deklaruar sa i përket angazhimit të tij në jetën publike. Ai ka deklaruar aso kohe se do të tërhiqet dhe se çfarë vendimi do të marrë z. Grubi, varet prej tij. Aktivizmi civil dhe aktivizmi partiak janë akte vullnetare. Secili individ, në bazë të vullnetit të tij të lirë, mund të vendosë nëse do të marrë apo jo pjesë në jetën publike dhe politike”, tha Ademi.

Ndërkohë, gjatë ditës u raportua se më 13 tetor përfundon masa e paraburgimit ndaj Artan Grubit dhe se ai do të mbrohet në liri. Gjithashtu, është raportuar se ish-zëvendëskryeministri ka ofruar garanci prej 335.707 eurosh për kthimin e pasaportës.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.