Adnan Azizi: Ballkani i Hapur po perëndon, aleatët e Ahmetit mblidhen për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, i është kundërpërgjigjur fotografisë së shpërndarë nga deputetja e AKI-së, Rina Ajdari, ku shfaqen deputetët e këtij koalicioni me dedikim për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ajdari fotografinë e ka shoqëruar ...

tetor 26, 2026 - 17:00
Adnan Azizi: Ballkani i Hapur po perëndon, aleatët e Ahmetit mblidhen për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, i është kundërpërgjigjur fotografisë së shpërndarë nga deputetja e AKI-së, Rina Ajdari, ku shfaqen deputetët e këtij koalicioni me dedikim për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Ajdari fotografinë e ka shoqëruar me mbishkrimin: “Në gjurmët e liderit, në frymën e bashkimit dhe me vizionin që na bashkon drejt së ardhmes”.

Në reagimin e tij, Azizi e lidh këtë bashkim me rënien e ndikimit të projektit të Ballkanit të Hapur, duke pretenduar se ata që synuan ta përcaktonin të ardhmen politike të rajonit duke e lënë Kosovën anash, tashmë po përballen me pasojat e zgjedhjeve të tyre politike.

“Ndonjëherë, njerëzit mblidhen jo për të festuar fitore, por për t’i dhënë kurajë njëri-tjetrit përballë kohës që po i shkel”, shkruan Azizi.

“Ballkani i Hapur po perëndon, ndërsa po zbehet edhe iluzioni i atyre që menduan se mund ta rishkruanin hartën politike të rajonit duke e lënë Kosovën anash”, thekson deputeti i VLEN-it.

Azizi e përmbyll statusin me një mesazh ironik për deputetët e AKI-së: “Sot mblidhen për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit; nesër mund të mblidhen për të kuptuar se ku gabuan”.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.