Afati për Presidentin skadon sot, vendi rrezikon zgjedhjet e reja
Sot, përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e kreut të shtetit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon sot. Deri në përfundimin e këtij af...


Sot, përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e kreut të shtetit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon sot.
Deri në përfundimin e këtij afati, Kuvendi duhet ta përfundojë procedurën për zgjedhjen e Presidentit. Nëse Presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpërndarja e Kuvendit. Në këtë rast, ato mund të mbahen më së largu më 15 nëntor, që është e diela e fundit brenda këtij afati.
Çështja e zgjedhjes së Presidentit ka qenë në qendër të zhvillimeve politike gjatë javëve të fundit, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur një marrëveshje për kandidatin dhe votat e nevojshme.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas shqyrtimit të kërkesave të deputetëve të PDK-së lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Gjykata konstatoi se Kuvendi ishte konstituuar pas skadimit të afatit kushtetues dhe përcaktoi se më 8 gusht kishte përfunduar afati për konstituimin e tij. Nga kjo datë nisi të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit, i cili përfundon më 6 tetor 2026.
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, seanca konstituive e Kuvendit nisi më 6 gusht, por u ndërpre dy herë me kërkesë të Albin Kurtit. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje nuk propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke argumentuar se ishte e nevojshme një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.
Megjithatë, më 8 gusht, kur skadoi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu sërish seancën konstituive.
Lëvizja Vetëvendosje insistoi se seanca nuk duhej të vazhdonte pa një marrëveshje paraprake për Presidentin. Kuvendi u konstituua përfundimisht më 13 shtator.
Ndërkohë, pas disa takimeve, Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftuan se ishin dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut si kandidat për President. Marrëveshja u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së, ndërsa Sejdiu më vonë njoftoi tërheqjen nga kandidatura.
Zgjedhjet e 7 qershorit ishin rezultat i krizës së mëparshme politike dhe dështimit të partive për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit. Nëse edhe sot nuk arrihet një marrëveshje dhe Presidenti nuk zgjidhet, Kosova pritet të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare – për herë të katërt brenda dy vitesh.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.