AfD kundër Ambasadës Gjermane në Shkup për financimin e një shfaqjeje LGBT, faktet e demantojnë pretendimin

Partia e ekstremit të djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka kërkuar përgjigje nga qeveria në Berlin lidhur me financimin nga Ambasada Gjermane në Shkup të shfaqjes teatrale “Engjëjt në Amerikë”, e cila trajton jetën e pe...

gusht 15, 2026 - 11:30
AfD kundër Ambasadës Gjermane në Shkup për financimin e një shfaqjeje LGBT, faktet e demantojnë pretendimin

Partia e ekstremit të djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka kërkuar përgjigje nga qeveria në Berlin lidhur me financimin nga Ambasada Gjermane në Shkup të shfaqjes teatrale “Engjëjt në Amerikë”, e cila trajton jetën e personazheve nga komuniteti queer në Nju Jork gjatë viteve ’80.

Çështja mori vëmendje pasi tabloidi gjerman Bild publikoi një artikull ku e paraqiti shfaqjen si shembull të financimit të projekteve të orientuara ideologjikisht jashtë Gjermanisë. Artikulli më pas u shpërnda gjerësisht nga deputetë dhe mbështetës të AfD-së në rrjetin social X.

Shfaqja, me regji të Filip Petkovskit, u vu në skenë në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë së Veriut në vitin 2025. Ajo bazohet në veprën e dramaturgut amerikan Tony Kushner, e cila është shfaqur prej vitesh në skena të ndryshme ndërkombëtare. Në vitin 2003, vepra u përshtat edhe në një mini-seri televizive ku luajtën Al Pacino dhe Meryl Streep.

AfD pretendon se financimi i shfaqjes nuk përputhet me kursin e shpallur të qeverisë gjermane për orientimin e ndihmës zhvillimore drejt interesave të Gjermanisë.

Por faktet rezultojnë ndryshe.

Sipas informacioneve të Deutsche Welle, shfaqja në Shkup nuk është financuar nga fondet gjermane për zhvillim. Ambasada Gjermane ka dhënë 2.000 euro nga fondi i saj i vogël për kulturë dhe shkencë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

Po ashtu, një nga elementet më të përfolura në artikullin e Bild nuk ka qenë pjesë e shfaqjes së vënë në skenë në Shkup. Bëhet fjalë për përshkrimin e një engjëlli si krijesë me “tetë vagina”.

Sipas DW, në Shkup është interpretuar vetëm pjesa e parë e veprës, ku vizionet profetike të engjëllit nuk trajtohen fare.

Megjithatë, Bild e përdori pikërisht këtë element për të ilustruar pretendimin e saj për shpenzime të diskutueshme të Gjermanisë jashtë vendit.

Artikulli i publikuar më 13 gusht, me titullin “Ndihmë zhvillimore? 612 milionë euro shpenzohen për projekte gjinore”, e përmend shfaqjen në Shkup si një nga shembujt që, sipas gazetës, nuk përputhen me premtimin për t’u larguar nga politikat e motivuara ideologjikisht.

Debati u përhap më tej në rrjetet sociale. Ish-kryeredaktori i Bild, Julian Reichelt, duke shpërndarë artikullin, kritikoi shpenzimet gjermane jashtë vendit dhe argumentoi se qytetarëve gjermanë nuk duhet t’u shkurtohen të drejtat sociale apo përfitimet, ndërkohë që miliona euro shpenzohen jashtë Gjermanisë.

Kështu, polemika politike rreth shfaqjes në Shkup vazhdon, por të dhënat mbi financimin dhe përmbajtjen e saj tregojnë se disa nga pretendimet kryesore të paraqitura nga AfD dhe të amplifikuara nga Bild nuk përputhen me faktet.DW


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.