Afrim Gashi pret ndikim pozitiv nga ndryshimet e pushtetit në Serbi
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi se i sheh me optimizëm zhvillimet në Serbi dhe pret që ndryshimet e pushtetit të sjellin efekte pozitive, raporton 4news.mk. Duke folur për proceset gjeopolitike në rajon dhe më gjerë në Evropë, të...
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi se i sheh me optimizëm zhvillimet në Serbi dhe pret që ndryshimet e pushtetit të sjellin efekte pozitive, raporton 4news.mk.
Duke folur për proceset gjeopolitike në rajon dhe më gjerë në Evropë, të lidhura me protestat e studentëve dhe qytetarëve, Gashi theksoi se brezat e rinj nuk dëshirojnë të presin gjatë dhe kërkojnë përmbushje më të shpejtë të pritshmërive të tyre për një jetë më të mirë.
“Në parim, jam njeri që i shoh gjërat me optimizëm. Konsideroj se çdo ndryshim duhet të jetë pozitiv. Edhe ndryshimet që kanë ndodhur në rajon i përshëndes dhe pres efekte pozitive prej tyre”, deklaroi Gashi pas takimit të rregullt me gazetarët.
Ai vlerësoi se është pozitive kur brezi i ri, veçanërisht studentët, udhëheqin protestat dhe shprehin kërkesa e pritshmëri të ndryshme ndaj shteteve të tyre.
“Ky është një mesazh që të gjitha shtetet, pavarësisht nëse kanë protesta apo jo, duhet ta kuptojnë. Brezi i ri nuk dëshiron të presë dhe kërkon që pritshmëritë t’i përmbushen sot. Nëse i dallojmë me kohë këto sinjale, mund të përfitojmë nga valët e ndryshimeve që sjellin brezat e rinj”, theksoi Gashi.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.