Agim Veliu për kandidaturën e Bekim Sejdiut: Kështu po paguhen borxhet politike me postin e Presidentit

Ish-zyrtari i lartë LDK-së, Agim Veliu, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe dakordimin për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës. Veliu, i cili në mars të vitit 2020 ishte shkarkuar nga posti i ministrit të...

shtator 4, 2026 - 20:30
Agim Veliu për kandidaturën e Bekim Sejdiut: Kështu po paguhen borxhet politike me postin e Presidentit

Ish-zyrtari i lartë LDK-së, Agim Veliu, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe dakordimin për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Veliu, i cili në mars të vitit 2020 ishte shkarkuar nga posti i ministrit të Brendshëm nga kryeministri i atëhershëm Albin Kurti, ka ironizuar cilësimin e Sejdiut si kandidat “konsensual”.

Ai ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është arritur marrëveshja mes Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut dhe presidentes Vjosa Osmani.

“Kandidat ‘konsensual’. Kështu po quhet tani Bekim Sejdiu, si të ishte zbuluar papritur në tryezën e përbashkët të Kurtit, Abdixhikut e Vjosa Osmanit”, ka shkruar Veliu.

Sipas tij, konsensusi për Sejdiun mund të ketë nisur shumë më herët, duke iu referuar vendimeve të tij në Gjykatën Kushtetuese, të cilat, sipas Veliut, në raste të caktuara i kanë leverdisur politikisht Lëvizjes Vetëvendosje dhe i kanë kushtuar LDK-së.

“Sot po mundohen ta shesin si zgjidhje konsensuale për President. E dje, sipas kësaj logjike, paska qenë investim politik. Çfarë rastësie e bukur”, ka deklaruar ai.

Veliu ka ironizuar më tej duke thënë se një person që dikur ishte “i dobishëm” për një palë, tash po paraqitet si kandidat “i pranueshëm” për të gjithë.

“Në politikën tonë kosovare, me sa duket, edhe borxhet politike paguhen me poste shtetërore. Kësaj radhe hiq më pak se me post Presidenti!”, ka shkruar ai.

Në reagimin e tij, Veliu i është drejtuar edhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke i kërkuar që të ndalë sulmet ndaj gjashtë deputetëve të partisë që kanë shprehur kundërshtim ndaj kandidaturës së Sejdiut.

Sipas tij, problemi nuk qëndron te deputetët që kanë thënë “jo”, por te mënyra e udhëheqjes së LDK-së.

“Abdixhiku duhet t’i ndalë sulmet ndaj gjashtë deputetëve. Ata nuk janë problemi. Problemi është lidershipi yt që nuk pranon kundërshtim dhe kërkon vetëm bindje”, ka shkruar Veliu.

Në fund, ai ka theksuar se LDK-ja nuk duhet të trajtohet si pronë e një individi dhe se demokracia brenda një partie nuk mund të funksionojë përmes urdhrave.

“Nëse gjashtë deputetë thanë ‘JO’, ti duhet ta pyesësh veten PSE, para se t’i fajësosh. LDK-ja nuk është pronë e askujt. As demokracia nuk është urdhër”, ka përfunduar Veliu.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.