Ahmeti-Abdixhikut: Refuzoj të linqohen ata që e kanë mbajtur gjallë LDK-në, ndërsa të përkëdhelen “turistët politikë”
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke bërë thirrje për më shumë demokraci të brendshme, dialog dhe tolerancë. Ahmeti ka thënë se LDK-ja nuk mund të jetë vetvet...


Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke bërë thirrje për më shumë demokraci të brendshme, dialog dhe tolerancë.
Ahmeti ka thënë se LDK-ja nuk mund të jetë vetvetja pa këto vlera, duke theksuar se parimet e saj duhet të jenë “të dëgjosh para se të vendosësh, të bindësh e jo të imponosh, të bashkosh e jo të linqosh”.
“LDK-ja ka lindur nga demokracia, toleranca, bashkëpunimi dhe durimi. Prandaj, është koha që këto vlera të mos mbeten vetëm pjesë e historisë sonë, por të jenë udhërrëfyes i veprimit dhe funksionimit tonë sot”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka thënë se flet “nga brenda”, duke kundërshtuar, siç është shprehur, linçimin dhe akuzat ndaj njerëzve që kanë kontribuar në LDK ndër vite.
“Flas nga brenda. Që nga themelimi e deri më sot, në të mirë e në sfida. Dhe pikërisht për këtë refuzoj që kaq lehtë të linqohen e të akuzohen ata që e kanë mbajtur gjallë LDK-në në ditët më të vështira, ndërsa të përkëdhelen turistet politik. Kah kjo kulturë e fyerjeve, linqimeve dhe akuzave? Kjo nuk është trashëgimi, as vlerë e jona”, ka deklaruar ai.
Ahmeti ka kritikuar edhe mënyrën e komunikimit dhe përplasjet brenda partisë, duke thënë se LDK-ja nuk është ndërtuar me tone të larta apo imponim.
“Ajo nuk ndërtohet me grusht, me zë të ngritur apo me ton të lartë. Kjo nuk i shkon për fytyrë LDK-së dhe nuk është mënyra se si është ndërtuar historia e saj”, ka shkruar ai.
Në fund, Ahmeti ka bërë thirrje për më shumë dialog, mirëkuptim dhe respekt brenda partisë.
“Është koha për më shumë dialog, mirëkuptim dhe më shumë respekt për njëri-tjetrin. LDK-ja është përgjegjësi e përbashkët”, ka përfunduar ai.
Reagimi i Ahmetit vjen në një kohë tensionesh brenda LDK-së, pasi gjashtë deputetë të partisë kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për President, në kuadër të marrëveshjes politike të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.