Ahmeti fton shqiptarët për marshin e sotëm: Historia nuk mund të gjykohet, ajo duhet të dëshmohet me të vërtetën
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka ftuar gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në marshin protestues kundër dënimit të krerëve të UÇK-së, i cili do të mbahet sot në ora 16:00 në Prishtinë. Ai ka bërë me dije se të gjithë shqiptarët duhet të bas...


Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka ftuar gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në marshin protestues kundër dënimit të krerëve të UÇK-së, i cili do të mbahet sot në ora 16:00 në Prishtinë.
Ai ka bërë me dije se të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen në këtë marsh për të kërkuar drejtësi të mbështetur në fakte dhe prova, e jo në dëshmi të fabrikuara në Beograd e në Moskë.
Në profilin e tij në Facebook, Ahmeti ka shkruar se historia nuk mund të gjykohet.
“Të dashur shqiptarë, të dashura familje të dëshmorëve, të dashur veteranë të luftës, invalidë të luftës dhe të gjitha kategoritë e dala nga lufta, patriotë e bashkatdhetarë, Nesër, në Prishtinë, në Sheshin “Skënderbeu”, ora 16:00, të bashkohemi të gjithë në një protestë paqësore dhe dinjitoze, për të kërkuar drejtësi të mbështetur në fakte dhe prova, e jo në dëshmi të fabrikuara në Beograd e në Moskë. Historia nuk mund të gjykohet. Ajo duhet të dëshmohet me të vërtetën”, ka shkruar ai, duke shtuar se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një nga vlerat më sublime të shqiptarëve në historinë tonë më të re. Ajo është pjesë e sakrificës, lirisë dhe dinjitetit të një populli. Obligim kombëtar i secilit prej nesh është ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta kultivojmë këtë vlerë, si sytë e ballit. Prandaj, nesër të jemi të gjithë bashkë në Prishtinë. Për drejtësi. Për të vërtetën. Për dinjitetin. Për lirinë”, ka shkruar ai.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.