Ahmeti: Maqedonia Evropiane ndërtohet me barazi, jo me zvogëlimin e të drejtave të dikujt

35-vjetori i pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është një moment për të kujtuar rrugën nëpër të cilën kemi kaluar si shtet dhe si shoqëri, por edhe për të menduar seriozisht se çfarë shteti duam t’ua lëmë brezave që vijnë. Ky ...

shtator 8, 2026 - 12:30
Ahmeti: Maqedonia Evropiane ndërtohet me barazi, jo me zvogëlimin e të drejtave të dikujt

35-vjetori i pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është një moment për të kujtuar rrugën nëpër të cilën kemi kaluar si shtet dhe si shoqëri, por edhe për të menduar seriozisht se çfarë shteti duam t’ua lëmë brezave që vijnë. Ky shtet nuk është ndërtuar brenda një dite dhe as vetëm nga një komunitet. Por, për shumë vite, një pjesë e qytetarëve të tij, shqiptarët dhe komunitetet e tjera joshumicë, nuk janë ndier si pjesë e barabartë e tij. Ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, mënyra se si u vendos rendi kushtetues në fillim të viteve ’90, si dhe përjashtimi i shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera nga proceset kyçe të krijimit të shtetit, krijuan një hendek të thellë mes shtetit dhe një pjese të qytetarëve të tij, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

— Kjo ishte një padrejtësi historike, por edhe një model i paqëndrueshëm shtetëror. Viti 2001 ishte pikërisht përballja me këtë realitet. Marrëveshja Paqësore e Ohrit nuk ndryshoi vetëm disa dispozita kushtetuese. Ajo ndryshoi filozofinë e funksionimit të shtetit. E zhvendosi vendin nga logjika e dominimit të shumicës drejt parimit të bashkëjetesës, barazisë dhe përgjegjësisë së përbashkët. Shqiptarët nuk kërkuan një shtet tjetër. Përkundrazi, u zotuan që së bashku ta ndërtojnë këtë shtet.

Që nga atëherë, rruga nuk ka qenë e lehtë. Integrimi i një komuniteti që për dekada ishte mbajtur larg institucioneve, administratës, kulturës, arsimit dhe jetës publike nuk mund të ndodhte brenda natës. U deshën reforma, përpjekje politike dhe, mbi të gjitha, ndryshim i mënyrës së të menduarit.

Në këtë proces, Bashkimi Demokratik për Integrim e ka parë integrimin e shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë jo si përjashtim të dikujt tjetër, por si ndërtim të një shteti më funksional, më demokratik dhe më të drejtë. Kjo është edhe thelbi i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.

Njëzet e pesë vjet pas Ohrit, është e rëndësishme të mos harrojmë se rezultatet e tij nuk i përkasin vetëm një komuniteti apo një partie. Ato janë pjesë e transformimit të vetë shtetit.

Marrëveshja e Ohrit e forcoi karakterin unitar të shtetit, duke e bërë atë më demokratik. E bëri më të qëndrueshëm, duke e bërë më gjithëpërfshirës. Dhe krijoi bazën mbi të cilën vendi vazhdoi rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Prandaj, çdo përpjekje për ta paraqitur Marrëveshjen e Ohrit si kërcënim për shtetin është kthim prapa në një debat të cilit historia tashmë i ka dhënë përgjigjen e saj.

Sot, shqetësimi im nuk është vetëm për atë që është arritur, por edhe për atë që mund të humbet nëse harrojmë pse ishin të nevojshme ndryshimet e vitit 2001. Është shqetësuese kur shoh përjashtim në përfaqësim, pengesa në përdorimin e gjuhëve, mungesë të gjithëpërfshirjes në kulturë dhe në jetën publike, apo përpjekje për të cenuar dhe relativizuar parimet mbi të cilat u ndërtua paqja. Duhet të jemi të kujdesshëm.

Sepse shtetet nuk dobësohen nga barazia. Shtetet dobësohen kur qytetarët e tyre fillojnë të ndihen të përjashtuar.

Maqedonia e Veriut në të cilën unë kam besuar dhe për të cilën kam punuar është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, shtet unitar, demokratik dhe evropian, i ndërtuar mbi barazinë dhe respektin e ndërsjellë.

Shqiptarët kanë dhënë dhe do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në ndërtimin dhe forcimin e saj. Por, për këtë nevojitet vullnet i përbashkët që çdo qytetar ta ndiejë këtë vend si të vetin dhe çdo komunitet ta shohë veten në institucionet e tij.

Në 35-vjetorin e pavarësisë, mesazhi im është i thjeshtë: Ta ruajmë atë që e kemi ndërtuar së bashku dhe ta çojmë përpara. Të mos kthehemi te politikat që ndajnë, por të ecim drejt një shteti që bashkon.

Sepse e ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk ndërtohet duke ua zvogëluar të drejtat dikujt, por duke e rritur besimin ndërmjet të gjithëve.

Gëzuar 35-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut! Përpara, së bashku! — shprehet Ahmeti.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.