Ahmeti për Hagën: “Këtu dënohet historia e Kosovës, jo vetëm individët”

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka komentuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur qëndrimin e tij se procesi ka pasoja përtej përgjegjësisë individua...

shtator 21, 2026 - 23:00
Ahmeti për Hagën: “Këtu dënohet historia e Kosovës, jo vetëm individët”

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka komentuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur qëndrimin e tij se procesi ka pasoja përtej përgjegjësisë individuale të të akuzuarve.

Ahmeti tregoi edhe se kur i ka njohur ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

“Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin i kam njohur që në vitet ’92-’93, me rastin e ripërtëritjes së radhës të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe formësimit të njësive të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin i kam njohur dhe i kam takuar pas përfundimit të luftës”, tha Ahmeti.

Ai i cilësoi katër ish-drejtuesit si “shokët tanë, njerëzit tanë”, duke thënë se pavarësisht kohës kur janë takuar fizikisht, ekzistonte njohje për veprimtarinë dhe angazhimin e tyre në kuadër të lëvizjes kombëtare.

Duke folur për aktgjykimin, Ahmeti tha se, sipas vlerësimit të tij, në këtë proces “dënohet historia e Kosovës” dhe UÇK-ja, e jo vetëm individët.

“Këtu dënohet historia e Kosovës, dënohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jo individët”, deklaroi Ahmeti.

Sipas tij, zhvillimet në Hagë duhet të shihen edhe në një kontekst më të gjerë politik. Ahmeti pretendoi se Beogradi dhe Moska synojnë të njollosin UÇK-në dhe, përmes kësaj, të vënë në pikëpyetje rolin e SHBA-së, NATO-s dhe vendeve perëndimore në luftën e Kosovës.

“Kështu që tani më po duket hapur […] që tendenca e Beogradit, por edhe e Moskës, është që të akuzojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n, vendet e Europës Perëndimore që kanë përkrahur një ‘organizatë terroriste’ […] dhe të vihet në pikëpyetje e të kontestohet vetë pavarësia, vetë shteti i Kosovës”, tha Ahmeti.

Ai e paraqiti këtë si vlerësim të tij personal mbi zhvillimet dhe jo si përfundim të një institucioni gjyqësor.

Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit është i shkallës së parë dhe është paralajmëruar se do të kundërshtohet përmes procedurës së apelit.

The post Ahmeti për Hagën: “Këtu dënohet historia e Kosovës, jo vetëm individët” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.