Akademik Kambovski: Propozimi për provimin e jurisprudencës është racional

Propozimi i Ministrit të Drejtësisë Jeton Shasivari është racional, deklaroi akademiku Vllado Kambovski sot për „Sloboden Peçat”, pasi studentët shqiptarë e refuzuan atë dhe këmbëngulën që i gjithë provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe, në...

tetor 20, 2026 - 18:00
Akademik Kambovski: Propozimi për provimin e jurisprudencës është racional

Propozimi i Ministrit të Drejtësisë Jeton Shasivari është racional, deklaroi akademiku Vllado Kambovski sot për „Sloboden Peçat”, pasi studentët shqiptarë e refuzuan atë dhe këmbëngulën që i gjithë provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe, në të kundërtën do të protestojnë sërish.

Kryeministri Hristijan Mickoski këmbëngul se pjesa me shkrim e provimit duhet të mbetet në gjuhën maqedonase, përkatësisht se gjuha e përbashkët e sistemit të drejtësisë është maqedonishtja.

Ndërkaq, Kambovski konsideron se më e rëndësishme është harmonizimi i terminologjisë juridike dhe i programeve mësimore në fakultetet juridike. Ai propozoi një nismë për unifikimin e terminologjisë dhe të literaturës së detyrueshme.

„Në kushtet aktuale, ky propozim duket racional, nëse kemi parasysh se pikërisht këto fusha janë ndër më të ndjeshmet në të drejtën, ku është jashtëzakonisht e rëndësishme të ekzistojë terminologji juridike e harmonizuar, si dhe përdorimi i kësaj terminologjie në gjuhë të ndryshme.

Terminologjia juridike në vendin tonë nuk është përpunuar dhe zhvilluar mjaftueshëm në të gjitha gjuhët në të cilat kërkohet të jepet provimi. Nga ana tjetër, nevojitet harmonizimi i programeve mësimore në të gjitha fakultetet juridike, jo vetëm për këto dy lëndë, por edhe për lëndët e tjera.

Prandaj, Ministrit të Drejtësisë dhe kolegëve të tjerë u propozova që të ndërmerret një nismë në të gjitha fakultetet juridike, pavarësisht nga gjuha në të cilën zhvillohet mësimi, në mënyrë që të ekzistojë një fond i përbashkët i njësive programore dhe lëndëve të detyrueshme, me përmbajtje të harmonizuar të programeve dhe literaturë të detyrueshme të unifikuar për të gjitha lëndët, pavarësisht nëse ato zhvillohen në gjuhën maqedonase, angleze, shqipe apo në ndonjë gjuhë tjetër”, deklaroi Kambovski.

Akademiku konsideron se në këtë mënyrë do të tejkalohen problemet, dhe jo vetëm çështja se në cilën gjuhë duhet të jepet provimi.
Sipas tij, më e rëndësishmja është se me çfarë njohurish të zbatueshme do të hyjnë nesër studentët në sistemin e drejtësisë dhe si do të ushtrojnë profesionet juridike, në mënyrë që të realizohen qëllimet e së drejtës, e mbi të gjitha drejtësia.

„Kemi probleme të mëdha në përvetësimin e terminologjisë juridike. Gabimet në këtë fushë, përdorimi i kuptimeve të ndryshme për të njëjtin nocion, term apo shprehje, veçanërisht në të drejtën penale, mund të jenë fatale.

Në fund të fundit, përdorimi i gjuhës duhet t’u nënshtrohet disa parimeve themelore. Në procedurën penale, për shembull, qëllimi është të zbulohet e vërteta, të dënohet ai që është fajtor dhe të lirohet ai që nuk është fajtor.

Nëse kjo vonohet për shkak të komplikimeve gjuhësore, përkthimeve e të ngjashme, atëherë do të kemi problem edhe me drejtësinë.
Problemi është mjaft kompleks që të zgjidhet në një mënyrë të tillë, në dukje të thjeshtë: nëse provimi do të jepet në këtë apo në atë gjuhë.

Duhet të mendohet për tërësinë e çështjes, pra për harmonizimin e të gjitha objektivave që duhet të merren parasysh dhe të arrihen, pa e kufizuar të drejtën për ta dhënë provimin në gjuhën amtare, por pa krijuar njëkohësisht konflikt ndërmjet kësaj të drejte dhe të drejtave të tjera që realizohen në procedura, siç janë përcaktimi i drejtësisë dhe i së vërtetës”, vlerëson Kambovski.

Me kë kanë komunikuar studentët?

Sipas informacioneve jozyrtare të mediumit, studentët në takimin e zhvilluar fillimisht e kishin pranuar propozimin Ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, por më pas, për shkak të udhëzimeve politike, në paraqitjet publike këmbëngulën që i gjithë provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe.

Sipas informacioneve të „Sloboden Peçat”, biseda në takim ishte konstruktive dhe studentët ishin pajtuar me propozimin e Shasivarit. Megjithatë, mediumi vlerëson se ishte simptomatike që ata komunikonin vazhdimisht përmes telefonave, sikur të merrnin udhëzime politike.

Sipas artikullit, ishte veçanërisht e dukshme që studentët e cilësuan si sukses të tyre propozimin e Shasivarit, sipas të cilit pjesa teorike e provimit, përkatësisht 12 lëndë mësimore, do të jepen në gjuhën shqipe.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.