AKI Kumanovë: 600 mijë euro për morgun në varrezat ortodokse, ndërsa qyteti po ngulfatet nga mbeturinat (VIDEO)
Koalicioni AKI Kumanovë, ka reaguar për vendimin e ri të Komunës së Kumanovës në krye me kryetarin Maksim Dimitrievskit, për ndarjen e 600 mijë eurove për morgun te varrezat ortodokse të qytetit, shkruan Portalb.mk. Nga AKI, thonë se në një...
Koalicioni AKI Kumanovë, ka reaguar për vendimin e ri të Komunës së Kumanovës në krye me kryetarin Maksim Dimitrievskit, për ndarjen e 600 mijë eurove për morgun te varrezat ortodokse të qytetit, shkruan Portalb.mk.
Nga AKI, thonë se në një kohë kur Kumanova po përballet me probleme të shumta, pushteti lokal i udhëhequr nga Maksim Dimitrievski zgjedh të shpenzojë shuma marramendëse për projekte që nuk janë prioritet për qytetarët. Siç thonë nga atje, mbeturinat kanë mbuluar lagjet e qytetit dhe arsyetimi i Komunës së Kumanovës është se nuk ka mjete të mjaftueshme dhe kërkon kredi për blerjen e kamionëve, duke e zhytur komunën edhe më shumë në borxhe.
“Ndërkohë, gjejmë qindra mijëra euro për renovimin e një objekti fetar. Nuk jemi kundër renovimit dhe mirëmbajtjes së objekteve fetare. Por çdo shpenzim publik duhet të jetë i arsyeshëm, transparent dhe në përputhje me nevojat reale të qytetarëve. Dhe pyetja është edhe më e madhe. Si mund të gjenden 600 mijë euro për varrezat ortodokse, ndërsa për varrezat myslimane nuk parashihet asnjë denar? Kjo nuk është thjesht çështje buxheti. Është çështje e prioriteteve, përgjegjësisë dhe trajtimit të barabartë të qytetarëve”, thonë nga AKI.
Nga AKI vlerësojnë se Kumanova ka nevojë për kamionë, pastërti, rrugë, infrastrukturë dhe shërbime publike funksionale dhe nuk ka nevojë për luks politik dhe shpenzime të pajustifikueshme.
Ata nënvizojnë duke shtuar se Maksim Dimitrievski duhet t’u japë përgjigje qytetarëve: pse për disa nevoja gjenden qindra mijëra euro, ndërsa për problemet që prekin çdo ditë qytetarët gjithmonë kërkohet kredi? Siç thonë nga atje Kumanova nuk mund të menaxhohet me politika të tilla, pasi qytetarët meritojnë barazi, transparencë dhe një buxhet që shërben qytetin, jo interesa të ngushta politike.
Ndryshe, kujtojmë se Kumanova përballej me mosgrumbullimin e mbeturinave në disa lagje të qytetit. Problemi me grumbullimin e mbeturinave po kthehet në një shqetësim kronik për qytetin e Kumanovës. Tashmë u bë më shumë se një javë që NP “Pastrim dhe Gjelbërim” në Kumanovë nuk i ka pastruar kontejnerët në disa pjesë të qytetit.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.