Aktgjykimi dënues në Hagë për ish-krerët e UÇK-së- Kurti pret në takim, Bedri Hamzën!
Pas aktgjykimit dënues në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti thek...


Pas aktgjykimit dënues në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit në shkallën e parë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit. Kurti e Hamza ndanë mendimet dhe përshtypjet e tyre si dhe diskutuan se cilat do të ishin rrugët e mënyrat që duhet ndjekur përpara për të korrigjuar vendimin e djeshëm” thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Kryeministri Kurti dhe Hamza u zotuan për komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë për çështjet e interesit publik, shtetëror dhe kombëtar.
“Rezistenca e popullit tonë dhe lufta çlirimtare, përveçse të drejta, ishin të domosdoshme në rrugën për liri dhe pavarësi. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigje organizative e shqiptarëve ndaj një regjimi shtetëror shtypës sikurse ai i Jugosllavisë së Serbisë së Millosheviqit, që i ka të dokumentuara krimet: nga represioni sistematik deri te aparteidi, nga mohimi i të drejtave themelore njerëzore e qytetare deri te spastrimi etnik dhe gjenocidi” mbyllet njoftimi i ZKM-së.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.