Alarm për Nilitin në Shkup – Infektiva mohon lidhjen me ujin

Pesë komuna dhe disa vendbanime në Shkup nën masa epidemiologjike – ndërkohë, Klinika Infektive thotë se nuk ka asnjë të dhënë për raste gastrointestinale të shkaktuara nga uji i pijshëm Shkupi përballet me një situatë epidemiologjike që...

gusht 12, 2026 - 17:30
Alarm për Nilitin në Shkup – Infektiva mohon lidhjen me ujin

Pesë komuna dhe disa vendbanime në Shkup nën masa epidemiologjike – ndërkohë, Klinika Infektive thotë se nuk ka asnjë të dhënë për raste gastrointestinale të shkaktuara nga uji i pijshëm

Shkupi përballet me një situatë epidemiologjike që ka ngritur vëmendjen e institucioneve shëndetësore, pasi në disa komuna dhe vendbanime janë shpallur masa epidemiologjike për shkak të etheve të Nilit Perëndimor.

Nga Qendra e Shëndetit Publik – Shkup bëhet e ditur se masat përfshijnë komunat Kisella Voda, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden, si dhe vendbanimet Draçevë, Përzhinë, Lisiçe e Poshtme, Kadino dhe Jurumleri.

Sipas autoriteteve shëndetësore, bëhet fjalë për një sëmundje të njohur, e cila është evidentuar edhe në vitet e mëparshme. Megjithatë, numri i rasteve të konfirmuara dhe aktiviteti aktual i virusit kanë bërë që këtë vit të kërkohet reagim më i fuqishëm institucional.

Autoritetet thonë se situata po monitorohet në koordinim me Institutin e Shëndetit Publik, Qendrat e Shëndetit Publik, Komisionin për Sëmundje Infektive dhe Klinikën e Sëmundjeve Infektive.

Infektiva: Nuk kemi raste të lidhura me ujin

Në një zhvillim tjetër që lidhet me shëndetin publik në kryeqytet, drejtori i Klinikës Infektive në Shkup, doktor Fadil Cana, ka mohuar se institucioni ka regjistruar pacientë me probleme gastrointestinale të shkaktuara nga uji i pijshëm.

Cana deklaroi se, deri tani, Klinika Infektive nuk disponon të dhëna për ndonjë pacient me shqetësime gastrointestinale që mund të lidhen me konsumimin e ujit në Shkup.

Sipas tij, një rast i tillë do të duhej të evidentohej gjatë procedurës diagnostikuese.

Në klinikë është vërejtur një rritje e numrit të pacientëve, por kjo, sipas Canës, është në përputhje me atë që zakonisht ndodh gjatë periudhave me temperatura të larta. Numri i pacientëve nuk e ka tejkaluar nivelin e zakonshëm të viteve të mëparshme.

Apeli: Pa panik, por me kujdes

Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik, por të marrin masa mbrojtëse ndaj pickimeve të mushkonjave.

Rekomandohet përdorimi i veshjeve që mbulojnë trupin dhe shmangia, sa të jetë e mundur, e hapësirave ku ekspozimi ndaj mushkonjave është më i madh.

Në këtë situatë, mesazhi institucional është i dyfishtë: kujdes ndaj etheve të Nilit Perëndimor, por jo përhapje e pakonfirmuar e pretendimeve për ndotje të ujit të pijshëm.

Ministria e Shëndetësisë thotë se do të vazhdojë ta informojë publikun për çdo ndryshim të rëndësishëm në situatën epidemiologjike.

The post Alarm për Nilitin në Shkup – Infektiva mohon lidhjen me ujin appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.