“Alarm” te Milani: Kuqezinjtë në humbje financiare për herë të parë nën RedBird

AC Milan ka publikuar shifrat kryesore të pasqyrave financiare për sezonin 2025/26, duke konfirmuar humbjen e parë financiare që nga marrja e klubit nga fondi amerikan RedBird Capital Partners. Pas blerjes së klubit nga Elliott Management, ...

shtator 29, 2026 - 00:30
“Alarm” te Milani: Kuqezinjtë në humbje financiare për herë të parë nën RedBird

AC Milan ka publikuar shifrat kryesore të pasqyrave financiare për sezonin 2025/26, duke konfirmuar humbjen e parë financiare që nga marrja e klubit nga fondi amerikan RedBird Capital Partners.

Pas blerjes së klubit nga Elliott Management, RedBird kishte nisur periudhën e saj të pronësisë me rezultate pozitive në aspektin financiar. Milani regjistroi fitim prej 6.1 milionë eurosh në sezonin 2022/23, 4.1 milionë euro në 2023/24 dhe 3 milionë euro në 2024/25.

Megjithatë, kjo seri është ndërprerë në sezonin e fundit.

Sipas të dhënave të publikuara nga klubi, Milani ka regjistruar një humbje neto prej rreth 24 milionë eurosh për vitin financiar që përfundoi më 30 qershor 2026.

Një nga faktorët kryesorë lidhet me mungesën e pjesëmarrjes në kompeticionet evropiane. Kuqezinjtë nuk morën pjesë as në Ligën e Kampionëve dhe as në Ligën e Evropës, duke humbur të ardhura të rëndësishme nga UEFA.

Të ardhurat mbeten në nivele të larta

Pavarësisht mungesës në Evropë, Milani gjeneroi 464.6 milionë euro të ardhura gjatë sezonit 2025/26.

Klubi thekson se kjo shifër mbetet pranë niveleve rekord të dy sezoneve të fundit. Të ardhurat u rritën me 1.7% krahasuar me sezonin 2023/24 dhe ishin vetëm 6% më të ulëta se ato të sezonit 2024/25, pavarësisht mungesës së futbollit evropian.

Një prej pikave më të rëndësishme ishte rritja e të ardhurave komerciale. Për herë të parë në historinë e klubit, të ardhurat nga sponsorizimet kaluan shifrën e 100 milionë eurove.

Edhe të ardhurat nga ndeshjet mbetën të forta. Milani regjistroi mesataren më të lartë të tifozëve në Serie A për të dytin sezon radhazi, me më shumë se 72 mijë spektatorë për ndeshje.

Vlera e markës arrin rekord

Sipas Brand Finance, vlera e markës së Milanit arriti në 514 milionë euro në vitin 2026, me një rritje prej 28% brenda një viti.

Klubi theksoi se kjo ecuri e vendos Milanin si markën e futbollit me rritjen më të shpejtë në botë që nga viti 2021, sipas vlerësimit të kompanisë.

Rritet borxhi financiar

Në fund të vitit financiar, borxhi financiar neto i Milanit ishte 145.3 milionë euro, krahasuar me rreth 92 milionë euro një vit më parë.

Ndërkohë, kapitali i aksionerëve arriti në 176.4 milionë euro.

Sipas klubit, rritja e borxhit lidhet kryesisht me përdorimin strategjik të linjave të kreditit për të mbështetur investimet, projektet e zhvillimit dhe iniciativat afatgjata të Milanit.

Stadiumi i ri, projekti kryesor

Milani ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e projektit për stadiumin e ri, i cili konsiderohet si një prej iniciativave më të rëndësishme për të ardhmen ekonomike të klubit.

Një hap i rëndësishëm u shënua më 5 nëntor 2025, kur klubi bleu kompleksin e njohur si “San Siro Great Urban Function”, që përfshin stadiumin “Giuseppe Meazza” dhe zonat përreth.

Sipas Milanit, ky projekt pritet të përmirësojë profilin ekonomik të klubit në planin afatgjatë, të krijojë mundësi të reja për rritjen e të ardhurave dhe të forcojë kapacitetin për investime të qëndrueshme në aspektin sportiv.

Klubi theksoi se, pavarësisht humbjes financiare në sezonin 2025/26, baza ekonomike mbetet e qëndrueshme dhe strategjia e RedBird synon një fazë të re zhvillimi për kuqezinjtë.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.