Alarm te Onkologjia në Shkup: Pacientet me kancer gjiri mbeten pa terapinë e nevojshme
Pacientet me kancer gjiri, të cilat kishin të planifikuar terapinë „Phesgo” në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, kanë mbetur pa ilaçin për shkak të problemeve me furnizimin. Ende nuk dihet se kur do të sigurohet terapia dhe kur do të rifillo...
Pacientet me kancer gjiri, të cilat kishin të planifikuar terapinë „Phesgo” në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, kanë mbetur pa ilaçin për shkak të problemeve me furnizimin. Ende nuk dihet se kur do të sigurohet terapia dhe kur do të rifillojnë trajtimet.
Klinika u kërkoi falje pacienteve të prekura dhe kërkoi mirëkuptim e durim, duke pranuar se vonesa ka shkaktuar shqetësim. Megjithatë, nuk dha një datë konkrete për sigurimin e ilaçit.
Sipas institucionit, problemi lidhet me shpërndarjen dhe dorëzimin e medikamentit, procese që, siç thonë nga Klinika, janë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të saj. Autoritetet shëndetësore nuk kanë sqaruar se kush mban përgjegjësi për vonesën.
Më 8 tetor, drejtori i Klinikës, Igor Stojkovski, kishte paralajmëruar se mund të ketë vonesa të vogla për shkak të problemeve në shpërndarjen e terapive. Ai kishte bërë të ditur se po shqyrtohet edhe mundësia e prokurimit të disa terapive për një periudhë trevjeçare, me gjasë përmes tenderit publik të vitit 2027.
„Phesgo” përdoret për trajtimin e disa formave të kancerit të gjirit HER2-pozitiv dhe përmban substancat aktive pertuzumab dhe trastuzumab. Ilaçi jepet me injeksion nën lëkurë, si pjesë e trajtimit onkologjik të përcaktuar nga mjeku.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.