Albanians for America: Hapja e arkivave të Serbisë, kyçe për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur
Organizata “Albanians for America” ka vlerësuar se hapja e arkivave ushtarake dhe policore të Serbisë është thelbësore për zbardhjen e fatit të rreth 1,600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe për vendosjen e drejtësisë...


Organizata “Albanians for America” ka vlerësuar se hapja e arkivave ushtarake dhe policore të Serbisë është thelbësore për zbardhjen e fatit të rreth 1,600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe për vendosjen e drejtësisë për viktimat.
Në një opinion të publikuar së fundmi, organizata thekson se afro tri dekada pas përfundimit të luftës, mijëra familje vazhdojnë të presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre, ndërsa hetimet e fundit në Kalludrën e Vogël dhe Jabukë kanë rikthyer në vëmendje nevojën urgjente për zbardhjen e plotë të krimeve të luftës dhe fshehjes sistematike të provave.
“Afro tri dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, rreth 1,600 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur me dhunë, ndërsa mijëra familje ende presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre. Hetimet e fundit në Kalludrën e Vogël dhe Jabukë rikthejnë në vëmendje nevojën urgjente për zbardhjen e plotë të krimeve të luftës të kryera nga Serbia dhe fshehjes sistematike të provave”, thuhet në opinion.
Sipas “Albanians for America”, gërmimet në terren janë të rëndësishme, por nuk mjaftojnë për të sjellë drejtësi.
Organizata argumenton se hapja e arkivave të Serbisë do të mundësonte identifikimin e zinxhirit të përgjegjësisë, zbulimin e varrezave të tjera masive dhe nxjerrjen e autorëve të krimeve para drejtësisë.
“Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Pa të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë për viktimat, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në opinionin e organizatës.
“Albanians for America” ka bërë të ditur se opinioni i plotë është publikuar në gjuhën shqipe dhe angleze.
Ditëve të fundit, zbulimi i lokacioneve të dyshuara për varreza masive në Zubin Potok ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Al Jazeera, duke cituar AFP dhe Anadolu, raporton se autoritetet në Kosovë kanë identifikuar një lokacion të tretë të mundshëm të një varreze masive, ndërsa hetimet për krimet e dyshuara të luftës së viteve 1998-1999 po vazhdojnë.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.
