Studentët në Tetovë së shpejti do të mund të shfrytëzojnë transportin publik pa pagesë. Premtimi për transport falas po bëhet realitet, ndërsa tashmë kanë nisur përgatitjet konkrete për vënien në funksion të kësaj mase.

Këtë e ka bërë të ditur Albi Qamili, pas një takimi me udhëheqësit dhe përfaqësuesit e organizatave studentore të Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore, ku u diskutuan kërkesat e studentëve dhe detajet teknike për realizimin e projektit.

“Shumë shpejt, transporti publik falas për studentët! Premtimi ynë po bëhet realitet. Sot bëmë një hap konkret: përcaktuam detajet teknike që transporti falas për studentët të hyjë në funksion”, ka deklaruar Qamili.

Ai theksoi se kjo iniciativë synon t’ua lehtësojë përditshmërinë studentëve dhe ta bëjë Tetovën një qytet më atraktiv për të rinjtë.

“I dëgjojmë kërkesat e studentëve dhe ua lehtësojmë studimet. Tetova duhet të jetë qytet ku të rinjtë duan të studiojnë dhe të qëndrojnë”, u shpreh Qamili.

Detajet konkrete për mënyrën e funksionimit të transportit falas pritet të bëhen publike së shpejti.

Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.