Aleanca për Shqiptarët kërkon transparencë për punësimet: “Publikoni listën e mbi 2.500 punësimeve dhe avancimeve”
Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar nga VLEN që të publikojë të dhënat e plota për punësimet dhe avancimet në institucionet shtetërore, duke ngritur dyshime për mënyrën se si po zbatohet parimi i meritokracisë dhe përfaqësimit të drejtë. N...
Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar nga VLEN që të publikojë të dhënat e plota për punësimet dhe avancimet në institucionet shtetërore, duke ngritur dyshime për mënyrën se si po zbatohet parimi i meritokracisë dhe përfaqësimit të drejtë.
Nga ASH thonë se prej muajsh janë grumbulluar raste, shifra dhe ankesa që, sipas tyre, ngrenë pikëpyetje serioze mbi proceset e punësimit dhe avancimit në administratën publike.
“VLEN flet për meritokraci, përfaqësim dhe mijëra punësime e avancime. Atëherë le t’i publikojë të gjitha. Institucion për institucion. Konkurs për konkurs. Vend pune për vend pune”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Sipas të dhënave të cituara nga ASH, në një seri prej 136 punësimesh në institucione shtetërore, vetëm 5 persona kanë qenë shqiptarë. Në një analizë tjetër me 205 punësime dhe avancime, sipas partisë, vetëm 2 rezultojnë shqiptarë.
ASH përmend edhe rastin e NOMAGAS, ku nga 102 punësime të raportuara, 19 kanë qenë shqiptarë.
Në reagim përmendet edhe konkursi i fundit në Shkollën e Mesme të Policisë, ku nga 310 kandidatë të pranuar, sipas ASH-së, vetëm rreth 9 janë shqiptarë.
Partia opozitare i referohet edhe rastit të Mevludin Amidit në Postën e Maqedonisë, i cili ka pretenduar se, pavarësisht arsimit të lartë dhe përvojës shumëvjeçare, është anashkaluar në procesin e avancimit, ndërsa persona me nivel më të ulët arsimor janë avancuar. Sipas ASH-së, Amidi ka dorëzuar edhe ankesë zyrtare dhe ka kërkuar transparencë lidhur me kriteret e përdorura.
Në të njëjtën kohë, ASH i kërkon VLEN-it të sqarojë pretendimin se gjatë periudhës së qeverisjes janë realizuar mbi 2.500 punësime dhe avancime.
“Publikojeni listën. Në cilat institucione? Sa janë punësime të reja dhe sa avancime? Sa prej tyre janë shqiptarë? Në çfarë pozita janë punësuar? Sa janë në pozita udhëheqëse? Cilat kanë qenë kriteret?”, kërkon ASH.
Sipas partisë, çështja e punësimeve në administratën publike nuk duhet të trajtohet si çështje partiake.
“Punësimi publik nuk është pronë e VLEN-it, as e VMRO-së dhe as e cilësdo parti tjetër. Shqiptarët nuk kërkojnë favore. Kërkojnë mundësi të barabarta, transparencë dhe respektim të meritës”, thuhet në reagim.
ASH e përfundon reagimin duke i kërkuar VLEN-it të japë të dhëna konkrete dhe llogaridhënie për proceset e punësimit, duke theksuar se koalicioni erdhi në pushtet me premtimin për ndryshim.
“Pas dy vitesh, është koha të publikojë shifrat dhe të japë llogari”, përfundon Aleanca për Shqiptarët.
The post Aleanca për Shqiptarët kërkon transparencë për punësimet: “Publikoni listën e mbi 2.500 punësimeve dhe avancimeve” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.