Ali Ahmeti: Shtetet nuk dobësohen nga barazia, por kur qytetarët ndihen të përjashtuar
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ka përcjellë një mesazh për qytetarët, duke vënë theksin te barazia, Marrëveshja e Ohrit dhe përfshirja e të gjitha k...
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ka përcjellë një mesazh për qytetarët, duke vënë theksin te barazia, Marrëveshja e Ohrit dhe përfshirja e të gjitha komuniteteve në institucionet e shtetit.
Ahmeti ka thënë se 35-vjetori i pavarësisë duhet të shërbejë jo vetëm për të kujtuar të kaluarën, por edhe për të menduar se çfarë shteti duhet t’u lihet gjeneratave të ardhshme.
“Ky shtet nuk u ndërtua në një ditë dhe as vetëm nga një komunitet. Por, për shumë vite, një pjesë e qytetarëve të tij, shqiptarët dhe komunitetet e tjera joshumicë, nuk u ndjenë pjesë e barabartë e tij”, ka deklaruar Ahmeti.
Sipas tij, ndryshimet kushtetuese të vitit 1989 dhe mënyra e ndërtimit të rendit kushtetues në fillim të viteve ’90 krijuan një hendek ndërmjet shtetit dhe një pjese të qytetarëve.
“Kjo ishte padrejtësi historike, por edhe një model i paqëndrueshëm shtetëror”, ka thënë ai, duke shtuar se viti 2001 ishte përballje me këtë realitet.
Ahmeti e ka cilësuar Marrëveshjen e Ohrit si pikë kthese në funksionimin e shtetit.
“Marrëveshja Paqësore e Ohrit nuk ndryshoi vetëm disa dispozita të Kushtetutës. Ajo ndryshoi filozofinë e funksionimit të shtetit. E zhvendosi vendin nga logjika e dominimit të shumicës drejt parimit të bashkëjetesës, barazisë dhe përgjegjësisë së përbashkët”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka theksuar se shqiptarët, sipas tij, nuk kanë kërkuar shtet tjetër, por janë zotuar për ndërtimin e përbashkët të shtetit.
“Shqiptarët nuk kërkuan shtet tjetër. Përkundrazi, u zotuan se do ta ndërtojnë bashkë këtë shtet”, ka thënë Ahmeti.
Duke folur për periudhën pas vitit 2001, kreu i BDI-së ka thënë se integrimi i shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë ka kërkuar reforma, përpjekje politike dhe ndryshim të mendësisë.
“Bashkimi Demokratik për Integrim e ka parë integrimin e shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë jo si përjashtim të dikujt tjetër, por si ndërtim të një shteti më funksional, më demokratik dhe më të barabartë”, ka deklaruar ai.
Ahmeti ka paralajmëruar gjithashtu se parimet e Marrëveshjes së Ohrit nuk duhet të relativizohen, duke e kundërshtuar paraqitjen e saj si kërcënim për shtetin.
“Çdo përpjekje për ta paraqitur Marrëveshjen e Ohrit si kërcënim për shtetin është kthim pas në një debat që historia tashmë e ka dhënë përgjigjen”, ka thënë ai.
Në mesazhin e tij, Ahmeti ka shprehur shqetësim për, siç ka thënë, përjashtimin në përfaqësim, pengesat në përdorimin e gjuhëve dhe mospërfshirjen në kulturë e në jetën publike.
“Shqetësohem kur shoh përjashtim në përfaqësim, pengesa në përdorimin e gjuhëve, mospërfshirje në kulturë e në jetën publike apo përpjekje për t’i minuar ose relativizuar parimet mbi të cilat u ndërtua paqja. Duhet të jemi të kujdesshëm”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka përcjellë edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për barazinë dhe kohezionin shoqëror.
“Sepse shtetet nuk dobësohen nga barazia. Shtetet dobësohen kur qytetarët e tyre fillojnë të ndihen të përjashtuar”, ka theksuar Ahmeti.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut duhet të mbetet shtet unitar, demokratik dhe evropian, i ndërtuar mbi barazinë dhe respektin e ndërsjellë.
“Maqedonia e Veriut që unë e kam besuar dhe për të cilën kam punuar është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, shtet unitar, demokratik, evropian dhe i ndërtuar mbi barazinë dhe respektin e ndërsjellë”, ka deklaruar ai.
Në fund, Ahmeti ka bërë thirrje për ruajtjen e asaj që është ndërtuar deri tani dhe vazhdimin e rrugës drejt një shteti më gjithëpërfshirës.
“Ta ruajmë atë që kemi ndërtuar së bashku dhe ta çojmë përpara. Të mos kthehemi te politikat që ndajnë, por të ecim drejt një shteti që bashkon”, ka thënë Ahmeti.
Ai e ka përmbyllur mesazhin me theksin te perspektiva evropiane e vendit.
“E ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk ndërtohet duke zvogëluar të drejtat e dikujt, por duke rritur besimin ndërmjet të gjithëve”, ka përfunduar Ahmeti.
The post Ali Ahmeti: Shtetet nuk dobësohen nga barazia, por kur qytetarët ndihen të përjashtuar appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.