Ambasadori britanik kërkon që strategjia për ish-krerët e UÇK-së të respektojë zotimet ndërkombëtare
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka kërkuar që strategjia shtetërore për fazën e apelimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës t’u shërbejë interesave më të mira të vendit, duke respektuar njëkohësisht zot...


Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka kërkuar që strategjia shtetërore për fazën e apelimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës t’u shërbejë interesave më të mira të vendit, duke respektuar njëkohësisht zotimet ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit.
Këtë qëndrim ai e ka shprehur gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, me të cilën ka diskutuar edhe për punën legjislative që e pret Kuvendin dhe agjendën e reformave evropiane.
Hargreaves ka bërë të ditur se një pjesë e diskutimit i është kushtuar strategjisë shtetërore për procesin e apelimit pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara.
“Diskutuam gjithashtu për strategjinë shtetërore për procesin e apelimit pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe rëndësinë që ajo t’i shërbejë interesave më të mira të Kosovës, duke respektuar njëkohësisht zotimet ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit”, ka shkruar ai.
Ndryshe, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020. Të katër, në paraqitjet e tyre para gjykatës, janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre në Dhomat e Specializuara filloi më 3 prill 2023, ndërsa më 16 shtator të këtij viti u shpall aktgjykimi i shkallës së parë.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Të katër u shpallën fajtorë për akuza që lidhen me ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.